Orientalizmi i padëshiruar i shqipes

by Shkupi Press  |  in Opinione at  10:27 PM

Dr. Xhevat Lloshi

Botimi në vitin 2005 i Fjalorit të orientalizmave, hartuar nga Tahir Dizdari, përbën një ngjarje për studimin e leksikut të shqipes. Kjo lëndë kishte nisur të dilte në faqet e shtypit shkencor që në vitin 1960 (Buletini i USHT, nr. 1) dhe tashmë e kemi në një libër e të plotësuar sipas dorëshkrimit të tij. Autori bëri një punë të gjatë e të përkushtuar dhe te ajo janë mbështetur e vijojnë të mbështeten gjuhëtarët tanë dhe hartuesit e fjalorëve.
Libri prej 1202 faqesh, botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam bashkë me Organizatën Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë është shtypur me letër të mirë dhe me cilësi nga ana tipografike, madje i qëndron përdorimit e nuk shqitet fletë-fletë si mjaft fjalorë të tjerë. Mirëpo lënda e tij është paraqitur në mënyrë mjaft të gabuar.
Menjëherë nën titullin shënohet se përmban rreth 4500 fjalë. Nuk ka asnjë mbështetje pohimi te Fjala e botuesve se “përmban rreth 4500 fjalë me origjinë nga gjuhët turke, arabe e perse, të cilat janë futur në përdorimin e përditshëm nga populli ynë.” Me një shqyrtim shkencor dëshmohet se vetëm pak më shumë se një e treta e kësaj shifre ka hyrë në përdorimin e përditshëm nga populli ynë.
Është përgjegjësi e korrektorit Nasuf Dizdari, që teksti ka shumë gabime shtypi, madje gabimet për fjalët e gjuhëve të tjera janë katastrofike. Por përgjegjësi më të rëndë ka redaktori Artan Goga, i cili duket se nuk e njeh leksikografinë shqipe. Pas një shoshitjeje, më del se mbi 100 fjalë nuk janë orientalizma. Arsyeja e autorit për këtë është vonesa e madhe  e botimit; ai nuk pati mundësinë të ndiqte zhvillimet e gjuhësisë sonë, që ka dhënë zgjidhje të reja, sidomos me hulumtimet e prof. Eqrem Çabejt. Por kjo arsye përkundrazi, e rëndon papërgjegjësinë e redaktorit, i cili duhej ta kishte treguar këtë fakt dhe të mos lejonte shifrën 4500. I shtyrë nga zelli për të dhënë ndihmesa për etimologjitë e shqipes, T. Dizdari ka përfshirë edhe fjalën “komb” si orientalizëm (përmend edhe  Gazullin, por ky nuk e ka), në një kohë që G. Majeri më 1891 kishte dhënë shpjegimin si huazim prej greqishtes.  Prej kësaj teme Dizdari ka paraqitur edhe:kombësi, kombëtar, kombëtarisht, kombëtarizoj, ndërkombëtar, ndërkombëtarisht, ndërkombëtarizim, ndërkombëtarizoj, çkombëtarizim, çkombëtarizoj, domethënë edhe 10 fjalë të tjera, që nuk kanë asnjë punë me orientalizmat. As këto nuk i ka kuptuar redaktori, ashtu si edhe një varg rastesh të tjera.
Mosnjohje e leksikografisë është edhe përfshirja e emrave të përveçëm në numrin e huazimeve orientale. Këta emra përbëjnë një fushë të veçantë studimi dhe nuk janë pjesë e leksikut të përgjithshëm, rrjedhimisht duhen zbritur nga shifra e përgjithshme edhe afër 100 njësi të tjera. Përndryshe na rishfaqet gabimi i G. Majerit, i cili më 1891 në numrin e fjalëve shqipe kishte përfshirë edhe Axhemistan e Anthina. Sot në gazeta shkruhet për shkatërrimin e dorëshkrimeve në Timbuktu të Malit, por kjo nuk do të thotë se paskemi një huazim nga gjuha e tuaregëve. Edhe në Maçu Piçu të inkasve shkruhet se paska një thesar, por as kjo nuk do të thotë se kemi një huazim nga gjuha keçua. Zgjidhja ka qenë e thjeshtë: emrat e përveçëm të viheshin në një listë veçan në fund të Fjalorit. Kjo njëkohësisht do të nxirrte në dritë se trajtimi nuk është bërë sipas disiplinës së onomastikës, por në mënyrë diletante. Nuk mund të paraqitet Ademidhe të mos jepet Havaja, nuk mund të jepen Izmiri Stambolli dhe të mos jenë Ankaraja e vetë Turqia. Asnjëherë nuk kanë qenë fjalë të shqiptarëve Akhisari për Krujën dhe Kalkandeleni për Tetovën. Është dhënë emri i Turhanit dhe Azraili, Bejaze, Çekërdekë, Israfil etj., por nuk janë Ahmeti, Bedriu, Enveri, Nafija, Nexhmia, Ramizi; nuk është madje as emri i autorit, Tahirit. Kështu  jemi në truallin e plotë të rastësisë. Nuk ka asnjë kuptim, që të jepen Skenderije dhe Medine–i Iskenderiye, që janë përdorur në dokumentet osmane deri në shek. XVIII. Ku është gjuha shqipe këtu? Pasi është dhënë fjala “mexhliz”, përse është nxjerrë si njësi më vete “mexhliz grashë”, madje duke mos e përmbajtur as citimet për ilustrim? Botuesit ia kanë ngarkuar redaktimin një njeriu të paaftë dhe të pakualifikuar për këtë punë, duke e dëmtuar mundin e T. Dizdarit, sepse ky vetë nuk synonte aspak orientalizimin e shqipes, përkundrazi, dëshironte ta vërtetonte se tashmë shqipja i kishte lënë prapa shumë nga huazimet orientale.
Trajta kryesore e fjalës në mjaft raste e vështirëson kërkimin nga ana e lexuesit. Një varg rastesh janë dhënë sa më afër trajtës së gjuhës orientale, duke e lehtësuar punën për studiuesit e huaj, por jo për shqiptarët. Kështu  del simsar sipas turqishtes dhe askujt nuk i vjen ndër mend se është puna për sekserin; trahanaja të cilën e njohim që nga bejtexhinjtë këtu jepet “tarhana” dhe sënduku ose sëndyqi duhet gjetur te “sandeku”, rufaitë te “rifai”, tavlla te “tablla”, terjaqiu na qenka edhe “tirjaci”, kurse asnjë drejtshkrim i shqipes nuk njeh “zimmi” e kështu me radhë. Në këtë mënyrë afrohemi te një fjalor turqisht-shqip dhe i largohemi fjalorit të orientalizmave të shqipes. Gjithashtu janë parapëlqyer trajta të përdorura në të folme të ngushta, të një grope, ndërkohë që gjithë vendi i njeh ndryshe; për shembull, për kurbetin duhet shkuar te “gërbet”; për jargavanin duhet shkuar te “arkivani”, por arkivani duhet gjetur te “argavani”; shiriti duhet parë te “sheriti” e kështu më tej. Të gjitha këto çështje dhe të tjerat më poshtë ishte detyrë t’i përpunonte redaktori dhe të paktën t’i paraqiste në një parathënie shkencore.
Mirëpo Parathënien e Fjalorit të orientalizmave e ka bërë Miço Samara. Është në kufijtë e të pabesueshmes se çfarë pohimesh janë bërë në ato katër faqe të botuara më 2005, në fund të të cilave shkruhet: Akademia e Shkencave. Po citoj si fillim vetëm pak rreshta: “Depërtimi i tyre në masë ka filluar pikërisht në shek. XVIII, atëherë kur qyteti shqiptar fillon të rritet me popullsi të ardhur rurale dhe marrëdhëniet e tij me fshatin shtohen, kur besimi islam zë vend në Shqipëri dhe, rrjedhimisht zgjerohet gjeografia e përhapjes së orientalizmave në disa fusha të veprimtarisë, siç është fusha e bujqësisë ose e bimësisë dhe pemëtarisë (bamje, patëllxhan, zarzavate, bostan, duhan, hurmë etj.), fusha e mjeshtërive e zanateve (bojaxhi, nallban, çirak, sahatçi etj.), fusha e kulinarisë (bakllava, revani, hallvë, çorbë etj.). Orientalizmat u ngulën dhe zunë më tepër vend kur në Shqipëri u hapën mjaft mejtepe e medrese, ku jepej mësimi e arsimimi islam. Prandaj orientalizmat jo vetëm do të pasqyrohehin në tekstet mësimore të këtyre shkollave, por ato do të gjenin përhapje në ligjërimin e përditshëm masiv, në shtypin e kohës, në letërsinë artistike shqipe origjinale dhe të përkthyer nga ato gjuhë.” Këtu kemi një grumbullim qesharak broçkullash. Na dalka se depërtimi në masë i patëllxhanave, i çorbave, i nallbanëve na paska filluar në shek. XVIII dhe na qenka lidhur me rritjen e popullsisë fshatare në qytete dhe me ngulitjen e besimit islam!! As ka dëgjuar parathënësi, se në shek. XVII Evlija Çelebiu jo vetëm ka përshkruar qytetet e lulëzuara shqiptare (por të orientalizuara tashmë) dhe me vjershërim oriental, por edhe ka paraqitur një numër fjalësh shqipe. Na dalka se orientalizmat pasqyroheshin në tekstet mësimore të mejtepeve dhe medreseve, të cilat sipas kësaj logjike të shtrembër paskan qenë shqip dhe kishin ca si shumë orientalizma! A e di ky autor se kur janë hapur mejtepet e medresetë në Shqipëri, a mund të na thotë ky autor se cili ka qenë shtypi shqip i kohës gjatë pesë shekujve të sundimit osman? Cila ka qenë letërsia artistike shqipe origjinale dhe e përkthyer gjatë po atyre pesë shekujve? Për të mos vazhduar, çfarë do të thotë se gjeografia e përhapjes së orientalizmave qenkan bimësia, pemëtaria, zanatet dhe kulinaria?
Ndërkaq, nuk është shfaqje e diletantizmit, por e paditurisë vargu i manipulimeve të papranueshme me shifra nga ana e M. Samarës, i cili në Parathënie ka shkruar se  Gj. Buzuku ka 5% të orientalizmave që gjenden te Dizdari, domethënë i bie që në librin e vitit 1555 kishte të paktën 225 orientalizma. E vërteta shkencore është se Buzuku nuk ka më shumë se 5-6. Dhe po këtë përqindje M. Samara e jep për Fjalorin e F. Bardhit të vitit 1635, domethënë 225. Kolë Ashta që në vitin 2000 kishte botuar leksikun e F. Bardhit dhe kishte treguar se përfshinte vetëm 60 orientalizma. Kulmi është arritur me këtë pohim: “shumica e tij në këtë vepër (rreth 40%) gjendet te Fjalori i K. Kristoforidhit (1904) e te vjershat e bejtexhinjve.” Me llogaritje të thjeshtë do të dilte se 40% te Fjalori i Kristoforidhit, domethënë rreth 1800 fjalë, janë orientalizma. Pa bërë asnjë shtjellim tjetër, po citoj A. Xhuvanin, i cili ka shkruar më 1961 me rastin e botimit të Fjalorit të Kristoforidhit: “Gjinden pak fjalë turqishte e greqishte ndër ato fjalë të Fjalorit, jo ma tepër se 20, të cilat ose i kanë shpëtue Kristoforidhit, ose i ka mendue se duheshin shtimë.” Sidomos duke e vënë edhe në një plan me bejtexhinjtë, nga ana e M. Samarës kjo është një orvatje për të diskredituar mundin e rilindësit tonë të shquar, i cili ka punuar gjithë jetën për lëvrimin, pasurimin e pastërtinë e shqipes,. Mua më shqetëson thellë edhe fakti, se askush deri më sot nuk ka shprehur asnjë vërejtje kundër kësaj Parathënieje agresive, që është orvatur  ta orientalizojë shqipen e shkruar që nga libri i parë shqip e deri 350 vjet pas tij.
Duke i lënë mënjanë këto gjëra, që do ta lëndonin Tahir Dizdarin, dëshiroj të vë në dukje një vlerë tjetër të ndihmesës së tij të paçmueshme për kërkimet gjuhësore. Me këtë Fjalor të orientalizmave tashmë mund të kryhet një vështrim i ri tërësor i kësaj fushe, domethënë të kapërcejmë trajtimet e derisotme, të cilat e kanë përshkruar nga pikëpamje të ndryshme këtë lëmë leksikore, kanë treguar veçoritë fonetike e fjalëformuese, grupet tematike, qëndrimet ndaj këtyre huazimeve e deri te përdorimet stilistike. Ndërkaq, një varg përfundimesh kanë zënë vend të qëndrueshëm deri në atë shkallë, sa përsëriten në shkrimet e ndryshme. Por vepra e T. Dizdarit na mundëson të shkojmë përpara, të bëjmë hapa të rinj, sepse me këtë pamje tërësore është lehtësuar shumë trajtimi në një nivel tjetër për një varg çështjesh. Më poshtë do të përpiqem që të parashtroj disa nga çështjet, të cilat mund të shqyrtohen me një sy të ri.
Leksiku i përdorur në kushtet e dygjuhësisë nuk mund të quhet pjesë e leksikut të shqipes. Përndryshe do të përsëritet vazhdimisht gabimi i pafalshëm i Gustav Majerit, i cili në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe(1891) ka përfshirë pa kriter fjalë greke, që përdoreshin në ishujt e ndryshëm të Greqisë dhe në mjedisin, ku greqishtja jo vetëm ishte gjuha e popullsisë së vendit e me prestigjin e kulturës, por shqipja deri edhe përndiqej zyrtarisht. Në të njëjtën mënyrë, nuk bëjnë pjesë në leksikun e shqipes fjalët italiane, që kanë hyrë në përdorim te arbëreshët e Italisë. Në këto raste kanë interes fjalët shqipe, që kanë mbetur të gjalla në ato rrethana, ndërsa pavarësisht nga dëshirat tona, ato vijnë duke u pakësuar deri te shuarja përfundimtare e të folmeve shqipe. E njëjta gjë vlen edhe për fjalët turke. Po marr dy shembuj: afaxhan dheagërbazë, që janë regjistruar në Dibër. Dihet se në Dibër ka pasur dhe pjesërisht ka familje dygjuhëshe, të cilat madje edhe brenda familjes e flasin turqishten, por kjo nuk do të thotë se turqishtja e tyre është pjesë e shqipes. Njëkohësisht atje ka të tjera familje dygjuhëshe, nga të cilat nuk kemi se si të pranojmë fjalët sllave. Po të ecnim me rrugën e gabuar të G. Majerit, atëherë me ekspedita në familjet shqiptare të Turqisë, për të cilat thuhet se arrijnë në miliona veta, do të sillnim pothuaj gjithë leksikun e turqishtes si leksik të shqipes. Nuk ka si të quhet njësi e leksikut të shqipes “gjuz” nga e folmja e Mandricës, e një fshati në jug të Bullgarisë, në zonën me popullsi turke.
Çështja e parë, rrjedhimisht, është të përcaktohet korpusi i vërtetë i leksikut të huazuar në gjuhën shqipe, duke përjashtuar prerazi shembujt nga mjediset dygjuhëshe. Shifra 4500 nuk mund të mbahet me fjalë si “smrlan” dhe “xhenerik” – lloj kumbulle, të marra nga Fjalori i Kujunxhiqit (1902), të regjistruara diku në Kosovë. Shtresimi që do ta jap shkurt më poshtë dëshmon se është shkencërisht e gabuar të grumbullohen nën një shifër dukuri krejt të ndryshme, duke na dhënë një tablo historikisht të shtrembëruar.
Përgjithësisht flitet për turqizmat, huazimet turke ose orientalizmat në gjuhën shqipe me një vështrim jashtëkohor, të shoqëruar me një numërim mekanik njësish. Ndërkaq, historia jo vetëm ka ecur në rrugën e ndërlikuar të proceseve të veta, por ka ndryshuar me pasoja të drejtpërdrejta për gjuhët në kontakt.
Tashmë është e domosdoshme të ndajmë qartë dy periudha: a) pesë shekujt e sundimit osman, që nga shek. XV, dhe b) një shekull që nga pavarësia e Shqipërisë. Në periudhën e parë shqipja ishte në kontakt me turqishten, në periudhën e dytë ky kontakt u ndërpre për arsye jashtëgjuhësore: nuk mbetën në Shqipëri bashkësi me turqishten si gjuhë amtare dhe u larguan të gjitha strukturat administrative, ushtarake, gjyqësore, ekonomike dhe kulturore, të cilat e ushtronin veprimtarinë me turqishten. Sigurisht, proceset kanë qenë të shumëllojshme dhe mund të shkruhet gjatë, por dëshiroj të ndalem në njërën prej pasojave të para gjuhësore.
Pas Luftës I Botërore një shtresë e gjerë fjalësh u shndërruan në historizma dhe sot dalin vetëm si terma, kur trajtohen periudhat përkatëse, domethënë njihen nga një grup shumë i vogël specialistësh, ndërsa miliona shqiptarë, edhe kur ua mësojnë në shkollë, më pas nuk i përdorin kurrë dhe e harrojnë edhe atë që kishin mësuar. Do të ndalem vetëm te dy shembuj, që janë të mjaftueshëm për ta kuptuar në tërësi çështjen.
Menjëherë me pushtimin osman u vendos edhe në trevat tona regjimi i timareve dhe zeameteve. Pas katërqind vjetësh ai u hoq, ose siç shkruhet në librat e historisë, mori fund zyrtarisht regjimi i timareve dhe zeameteve, që sundoi në Shqipëri për 4 shekuj (1432-1831). Bashkë me të mori fund edhe funksioni historik i spahinjve feudalë ushtarakë. Rrjedhimisht, edhe në osmanishten e re timari dhe zeameti u kthyen në historizma. Të shohim shkurt si i kanë trajtuar gjuhëtarët. Për fat të mirë te G. Majeri më 1891 dhe te fjalori i Stuart Manit më 1948 këto fjalë nuk dalin, madje as te Fjalori i turqizmave të shqipes i Norbert Boreckit më 1976. Përkundrazi, në Fjalorin e gjuhës shqipe të vitit 1954është paraqitur timari si fjalë e vjetruar dhe mungon zeameti, e po kështu ka ndodhur edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 e te ribotimi i tij disa herë deri më 2006. T. Dizdari i ka të dy termat, por nuk e shënon historinë e tyre. Më lejoni ta shtroj çështjen ballas, mprehtas. Pse timari dalka në fjalorët e shqipes dhe zeameti jo? Sepse nuk ka një koncept të qartë për historizmat. Këto në shqipen e sotme nuk janë fjalë të vjetruara, por janë historizma, domethënë terma të historisë siç kanë termat e tyre gjithë fushat e shkencave. Nuk shërben si argument, që dalin nëpër tekste të ndryshme. Fusha e kimisë ka një milion terma sot, por gjuhësia merret vetëm me pjesën që del te shqipja në përdorimin e përgjithshëm, e cila gjen vend edhe nëpër fjalorët jo terminologjikë. Po tërheq vëmendjen se te një fjalor turqisht-anglisht, i vitit 1990, përgatitur për shkollat turke, i cili ka mbi 35.000 fjalë, pikërisht aq sa Fjalori ynë i vitit 1980, ndodh e kundërta: fjalatimar nuk është përfshirë, as edhe timarli, që e ka T. Dizdari. Dhe një kureshti, e cila merr sot ngjyrë humoristike, është se A. Kostallari më 1968 shkruante se në fjalor do të hynin si historizma edhe timari, edhe zeameti. Tashti kemi fjalorë të rinj turqisht-shqip.Në Fjalorin e vitit 2003 me rreth 30.000 fjalë përsëri e kundërta, zeameti del, kurse timari jo, ndërsa në Fjalorin e vitit 2009, që ka më pak se gjysmën e fjalëve, nuk del asnjëri term.
Me një vështrim më të gjerë, historizma kemi edhe nga gjuhë të tjera. Gjatë pushtimit italian, ndër të tjera patëm edhe balila e federalë. Për çudi, fjalori akademik të parën nuk e ka, kurse të dytën ka një çerek shekulli, që e paraqet rregullisht. Mirëpo sot u bënë 70 vjet, që fjalë të tilla nuk i përkasin realitetit shqiptar dhe kanë mbetur vetëm si historizma. Për ta mbyllur këtë hulli, po përmend se edhe gjatë marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik u shfaqën mjaft huazime nga rusishtja, të cilat po njësoj ose u mënjanuan, ose u shndërruan pastaj në historizma. Po marr prapë dy fjalë: stahanovist dhe hozrashot. E para nuk del te Fjalori i vitit 1954, e dyta del madje edhe bashkë me një tjetër: stakanovist, stakanovizëm. Më 1980 të tria fjalët nuk dalin më. Për kureshti, por në lidhje të drejpërdrejtë me këtë diskutim, po shtoj se në një gazetë të këtyre ditëve (“Telegraf”, 17 janar 2013) janë të pranishme dy huazime nga rusishtja: dozor dheplanshetist. A është ky fakt një argumentim për t’i përfshirë këto fjalë në leksikun e shqipes? Ato ishin dikur terma ushtarakë, kanë dalë nga përdorimi, nuk sjellin asnjë ndihmesë për studimet gjuhësore rreth leksikut të sotëm të shqipes dhe fjalorët kanë bërë mirë që nuk i kanë përfshirë, ndonëse, po e ritheksoj, edhe sot mund të dalin të regjistruara.
Historizmat janë fjalë të ngurtësuara, të fosilizuara. Ato as zhduken, as ndryshohen, as vjetrohen më dhe janë të mbërthyera në shtresën historike përkatëse, si ato insektet në copat e qelibarit, e si fjalë do të dalin sa herë të përmendet ajo shtresë. Pak shembuj të tjerë: ajan, akçe, akinxhi, avariz, badihava (taksë), bashibozuk, bashkallfë, bejlerbe, bejllëk (taksë), berat, çeribash, çifçi, defter (regjistër), derbenxhi, derebe, dervenxhi, devshirme, dizdar, ejalet, ferik, fetva, has, iç-ogllan, iltizam, ispenxhë, jaja, jeniçer,jyryk, kajmekam, kallfë, kanunname, myselem, rufet, tajfë, xhebeli, zimi etj. Nuk ka përse të quajmë pjesë të leksikut të shqipes as fjalë si: adilije, alltillëk, azap, balljemez, bezhdebir, ciribash, mustafaza, etj., etj.  Me të drejtë A. Kostallari më 1968 dallonte mbi 50 fjalë të tilla, që nuk duhej të përfshiheshin në fjalorin e shqipes. Me përjashtim të nja pesë a gjashtë prej tyre (e vështirë për t’i verifikuar ose janë thjesht gabime), gjithë të tjerat janë marrë pikërisht nga dorëshkrimi i T. Dzdarit
Besoj se del e qartë, që gjuhëtarët dhe leksikografët nuk kanë koncepte të qarta për historizmat terma. Zgjidhja më e drejtë do të ishte të hartohej një Fjalor i historizmave, në të cilin të jepeshin këto fjalë me shpjegime etimologjike dhe me të dhëna të përpikta enciklopedike, duke ndihmuar edhe shkollën tonë. Por nuk është e nevojshme të mbushen fjalorët tanë me fjalë si: akmeizëm, bersalier, bjellogardist, carina, çartizëm, dacibao, dogj, derbenxhi, federal, ilot, klironom, kuesturë, miçurinian, planovik, sahib, sovkoz,zaim etj. Si qenkan njësi të shqipes myddei-umumi, kizllaraga, hatti-sherif e mjaft gjëra të tjera të tilla? 
Shqipja ka qenë në kontakt me turqishten gjatë periudhave të ndryshme. Siç dihet, osmanishtja ose turqishtja osmane shënon gjuhën e shkruar të përdorur deri në fillim të shekullit XX. Në fillimet kjo gjuhë përputhej me gjuhën e zakonshme të popullsisë turke, por me kalimin e kohës u përpunua si një gjuhë artificiale me amalgamimin e fjalëve të persishtes e të arabishtes, si dhe të mjeteve të tyre lidhëse, me fjalët e strukturat gramatikore të turqishtes. Dallohen tri etapa të saj: osmanishtja e vjetër (shekujt XIII-XV), osmanishtja klasike (shekujt XVI-XIX) dhe osmanishtja e re (shekujt XIX-XX). Ne i njohim përpjekjet e Sami Frashërit për të mënjanuar këtë gjuhë zyrtare dhe për t’u kthyer te zanafilla e vërtetë kombëtare e turqve, përpjekje të cilat u mbështetën nga intelektualët e tjerë turq dhe kështu u bë edhe gjuhë e shkruar turqishtja e Turqisë në fillim të shekullit XX dhe u zyrtarizua pas Luftës I Botërore e përdoret edhe sot. Si përfundim, shqipja nuk ka pasur kontakte me turqishten e sotme standarde.
Përkundrazi, kur turqishtja u bë gjuha e sotme zyrtare, tashmë kontaktet e drejtpërdrejta ishin  ndërprerë dhe shqipja nuk e ndoqi evoluimin e turqishtes. Shqiptarët që shkojnë sot në Turqi e shohin me habi, se disa fjalë, që i dinin, nuk i përdorin më turqit e sotëm. Në vend të ylefe turqit përdorin sot maash; për arabishten ejvallah kanë teshekylerxhanavar e kanë vetëm për një përbindësh ose të egër dhe jo për njeri shkatërraq; nuk i thotë më njeri fjalët harar ose halezerva nuk e njeh më njeri për paluze, ose araba turqit sot i thonë edhe makinës, veturës, por shqipja nuk e ka ndjekur këtë zhvillim.
Nga ana e vet, shqipja gjithashtu ka kaluar nëpër etapa të ndryshme. Natyrisht, ndërmjet tyre nuk ka kufij të prerë, por për qëllime studimi do të pranojmë një periodizim. Shqipja e mesme përfshin shekujt nga i njëmbëdhjeti deri në të shtatëmbëdhjetin, ose arbërishtja. Prandaj janë me interes turqizmat që dalin te arbëreshët e shpërngulur nga Shqipëria. Por kjo nuk vlen njësoj për arbëreshët e Greqisë e të disa ngulimeve të tjera, sepse ato mbetën nën ndikimin e turqishtes edhe më pas. Shqipja e re nis në shek. XVIII e vjen deri në ditët tona dhe, si fazë të kësaj, kemi shqipen e sotme pas Luftës I Botërore, duke përfunduar me shqipen standarde në të tretën e fundit të shek. XX.
Rrjedhimisht, është shqipja e mesme ose arbërishtja që hyri së pari në marrëdhënie me turqishten në periudhën e vonë të osmanishtes së vjetër e sidomos me osmanishten e mesme. Nga kjo pikëpamje kanë rëndësi huazimet turke, që dalin te autorët tanë të vjetër deri te P. Bogdani. Por na nevojitet ndihma e turkologëve për të studiuar konkretisht fjalët, sepse ne nuk jemi në gjendje të bëjmë dallimet e nevojshme.
Për shkak të përtëritjes ekonomike në shek. XVII, pas një periudhe të gjatë luftërash e pasigurie, pati një gjallërim të jetës nga çdo pikëpamje në trevat shqiptare, por tashmë kishte zënë vend gjerësisht mënyra orientale e jetesës, duke nisur me arkitekturën e qyteteve, me xhamitë, mejtepet e medresetë, hamamet e pazaret, me veshjet e muzikën, me ushqimet e festat. Udhëtari  E. Çelebiu shkruan me entuziazëm për Shqipërinë që gjeti në mesin e shek. XVII, jo vetëm sepse i jepnin dhurata të shtrenjta dhe skllave e dylberë, por sepse gjeti atë kulturë orientale, e cila ishte shtrati ku u përftua letërsia orientaliste shqipe (e bejtexhinjve). Faktori tjetër shoqërues ishte edhe intensifikimi i myslimanizimit të shqiptarëve. Prandaj në shek. XVII-XVIII e deri në mes të shek. XIX huazimet orientale gjejnë kushtet e përshtatshme për të vërshuar në shqipen dhe do ta kishin rrezikuar rëndë, në rast se nuk do të shfaqej reagimi kombëtar i Rilindjes Shqiptare. Kështu, në periudhën e shqipes së re të etapës së Rilindjes gjendja u bë interesante, sepse krahas huazimit, lindi edhe rryma e kundërshtimit të orientalizimit të shqipes.
Në etapën e shqipes së sotme, pra pas Luftës I Botërore, jo vetëm u ndërprenë kontaktet, domethënë huazimi i drejtpërdrejtë i mëtejshëm, por edhe u ndërmorën veprime të tjera me pasoja gjuhësore. Kështu  për shembull, u hoq përdorimi i titujve aga, bej, efendi, pasha në institucionet shtetërore; u ndërruan kalendari, monedha, ora, masat e peshës e të gjatësisë, ndërsa nga nëntori 1928 u vendos e diela si ditë pushimi zyrtar. Njëkohësisht në frymën e Rilindjes vijuan përpjekjet për pastrimin e shqipes dhe për hartimin e disa terminologjive të tjera shqip. Rezultatet e këtyre përpjekjeve nuk kanë qenë drejtvizore dhe në një rast tjetër jam përpjekur të jap një tablo të ndryshme, nga ajo që kujtohet prej një vështrimi të përciptë.
Pikërisht në shqipen e re të etapës së Rilindjes kanë ndodhur ndryshimet përkatëse sidomos semantike të huazimeve orientale në shqipen, ndërsa në etapën e shqipes së sotme u shtua gama e ngjyrimeve stilistike dhe shprehëse të huazimeve orientale, sepse deri atëherë mbizotëronin konotacionet negative për shkak të qëndrimit përgjithësisht negativ kundrejt trashëgimisë orientale, qëndrim që do të bëhej më i larmë me kalimin e kohës.
Një shënim tjetër  i veçantë fare shkurt duhet bërë për etapën e shqipes së sotme. Me gjithë rrjedhimet e Pavarësinë, pati një fushë, e cila nuk u prek nga largimi i sundimit osman. Kjo ishte veprimtaria fetare e besimit mysliman, e mbështetur në Kuranin. Me rëndësi të veçantë ka qenë ndarja zyrtare ndërmjet shtetit dhe fesë, që gjeti sanksionim më 1923 në Kongresin e Parë Mysliman, në të cilin u shpall ndarja de jurenga Kalifati. Me përpjekjet këmbëngulëse të atdhetarit Vehbi Dibra që më 1917 u kërkua me një qarkore që lutjet të mos bëheshin në gjuhën turke për zyrat e sherieve dhe në dhjetor 1921 ai kërkonte ndalimin rreptësisht të akteve në gjuhën turke. Më pas u përpunua legjislacioni i ri në gjuhën shqipe dhe kjo e ndryshoi rrënjësisht punën e sheriatit dhe të gjyqësorit shqiptar.
Pas vendosjes së regjimit enverist u kalua deri te ndalimi i veprimtarisë fetare. Gjuhëtarët pa asnjë mbështetje shkencore e quajtën të vjetruar leksikun e veprimtarisë fetare, duke mbyllur sytë para realitetit, që te shqiptarët në trevat e tyre jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, pavarësisht prej përndjekjeve të lidhura ngushtë me politikën shoviniste, sidoqoftë nuk ishte zhdukur myslimanizmi. Me përmbysjen e regjimit enverist jo vetëm rifilloi ushtrimi i besimit, puna e institucioneve fetare, por edhe arsimimi në këtë fushë. Kjo përsëri është një temë e gjerë, që as nuk mund të ceket këtu, por as nuk duhet harruar lidhur me ndërthurjen gjuhësore të fateve të orientalizmave, kur lutjet bëhen në bulevardin kryesor të Tiranës dhe ushtojnë arabisht nga minarja e hijshme karakteristike në qendër të Tiranës.
Për ta dëshmuar vërshimin e huazimeve orientale që në shek. XVI-XVII do të rendis disa turqizma prej tekstit të Kuvendit të Arbrit. Meqë përkthimi më 1706 mendohet se nuk është bërë nga një shqiptar, po citoj disa rreshta nga përkthimi i Engjëll Radojës më 1867. Që në radhët e para të letrës së V. Zmajeviqit kemi: gazepe, sheher, vilajete, haraç, kala, meteriz, domethënë 6 turqizma ose një të katërtën e fjalëve (pa fjalëzat shërbyese). Ndërsa nga parathënia e vetë E. Radojës: belda, zaman, gajret, jabanxhi, çajre, derman, çynqi, adet.  Këtu kemi 8 turqizma, përsëri pothuaj një e katërta. Besoj se kjo është përqindja e vërtetë e turqizmave në gjuhën e shkruar në disa mjedise në shek. XIX, një përqindje që ishte e mjaftueshme për të ngjallur shqetësimin e rilindësve.
Por nga ana e kundërt, dëshiroj ta ritheksoj se vetë Fjalori i T. Dizdarit u botua me shumë vonesë.  Prandaj kur aty shkruhet, për shembull, se agësllëk në Shkodër para 40 vjetësh ka qenë fjalë e rëndomtë, këtë ne duhet ta lexojmë sot se ka qenë fjalë në përdorim nja 90 vjet më parë.Për këtë arsye, sa herë autori përmend një huazim me shprehjen ‘40-50 vjet më parë’, këto shifra duhen shumëzuar e pakta me 2.
Periodizimi historik i turqishtes nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar drejt  formën e ndikimit të saj mbi shqipen. Tashmë ka dalë e qartë, se osmanishtja ishte gjuha e shkruar, zyrtare, e letërsisë së kultivuar, por krahas saj jetonte dhe gjuha e folur, popullore, e komunikimit të përditshëm dhe e folklorit. Pikërisht nga kjo gjuhë e folur kanë hyrë në shqipen shumica e fjalëve të jetës së përditshme, të cilat kanë mbetur në përdorim deri në ditët tona dhe përbëjnë huazimet e mirëfillta turke, ato që i përdorim edhe sot për gjellët, veshjet, perimet, shtëpinë, sendet, veglat, marrëdhëniet familjare, në këngët popullore etj.
Në këtë leksik është e dobishme të dallojmë disa grupe. Natyrisht, e njëjta fjalë mund të ketë kuptime ose sfera përdorimi e ngjyrime të ndryshme, që e çojnë te grupe të ndryshme, por do të mbahet parasysh karakteristika më kryesore. Para së gjithash vijnë fjalët, që tashmë përdoren si fjalë shqipe asnjanëse, pa u ndier gjatë përdorimit prejardhja e tyre e huazuar, për shembull nga ato që nisin me A dhe me B: aheng, ahur, akrep, allçi, ashik, atllas, baba, bajame, bakër, bakllava, bakshish, bamje, barabar, barut, basmë, bast, bastis, batanije, baxhanak, bel, beqar, berber, bina, bodrum, bojë, boll, bori, borxh, bozë, bullgur, burmë, byzylyk, byrek.Mbi këtë lëndë, që arrin më pak se 1000 fjalë, duhen mbështetur gjurmimet rreth përshtatjes fonetike e morfologjike të turqizmave në gjuhën shqipe dhe jo në variante krahinore e individuale. Për shembull, te T. Dizdari kemi aksude, fjalë e cila njihet kudo si hasude. Trajta aksude, si edhe në rastin e dukurive të tjera të ngjashme, i përket fushës së studimeve dialektore e sociolinguistike brenda shqipes. Nga ana historike këto lidhen me një mjedis të ngushtë të orientalizuar thellë në Shkodër, nga i cili i ka nxjerrë T. Dizdari, dhe nuk është e drejtë të përgjithësohen për shqipen në tërësi dhe për fatin e orientalizmave në të. T. Dizdari shënon se kjo vjen nga një epentezë –k-. Ky shpjegim nuk qëndron. Ka një varg fjalësh, të cilat kanë pësuar metatezë, si: haeng – aheng, ahmarrje – hakmarrje, haur – ahur, uha – hua, lanet – nalet etj. Shpjegimi atëherë është në këtë vargëzim me metatezë: hasude – ahsude – aksude. Kështu shtohen rastet, kur te Fjalori i T. Dizdarit janë parapëlqyer trajta dialektore, domethënë që i përkasin dialektologjisë e jo studimit të huazimeve, si: akshi, turkushak etj.
Janë edhe pak fjalë, të ndërtuara me morfema të huazuara prej turqishtes, si fajdexhi, të cilat meritojnë shqyrtim të thelluar nga pikëpamja e leksikologjisë historike. Ndërkaq po i lë jashtë shqyrtimit e numërimit fjalët e prejardhura nga një temë e huazuar, sepse ky është tregues i përvetësimit dhe më tej proceset janë brenda shqipes dhe nuk janë përcaktuar nga etimologjia. Kështu, kemi huazuar nga turqishtja e folur e vjetër barabar dhe pastaj janë përftuar formimet brenda shqipes: barabarësi, i barabartë, barabit, barabrinjës, barakrahës, baras, baraslargësi, i baraslarguar, barasnatë, baraspeshë, baraspeshim, barasvlerë, barasvlerës, i barasvlershëm. Po shënoj se fjala e fundit është ndërtuar si kalkim për fjalënekuivalent, ndërsa turqishtja e ka muadil dhe eşdeğerli.
Grupin tjetër me shumë interes e përbëjnë huazimet, të cilat mbijetojnë edhe pse janë gjetur barasvlerëset në shqipen dhe sot meritojnë vëmendje të posaçme për proceset që ndodhin me to, sidomos për ngjyrimet sinonimike dhe shfrytëzimet stilistike në tekst. Këta janë dysorët e përftuar nga purizmi, për të cilët kam shkruar edhe herë tjetër. Pa u zgjatur në këtë lëmë, që pret hulumtime të gjera për të kuptuar përse vijon kjo dukuri me rol në shqipen e re, pavarësisht prej këshillave këmbëngulëse dhe nganjëherë të pafrytshme të gjuhëtarëve e të diletantëve, do të jepja një listë prej 150 shembujsh, që nisin me açik – hapur dhe mbarojnë me zarzavate – perime.
Fjalori i Akademisë së Shkencave Për pastërtinë e gjuhës shqipe, botuar më 1998, nuk përmban asnjë fjalë të tillë, sepse ishte premtuar që do të hartohej një vëllim më vete. Besoj se ai vëllim do të dalë së bashku me fjalorin e madh të gjuhës shqipe dhe do të përmbajë fjalët nga turqishtja braktis, braktisje, i braktisur,për të zëvendësuar huazimet neolatine abandonoj, abandonim, i abandonuar, që të mos shuhen vlerat shprehëse të tyre me kujdesin e Akademisë së Shkencave.
Grupin e tretë e përbëjnë fjalët, të cilat bartin një ngarkesë emocionale të fortë, sidomos vlerësime keqësuese, e mjaft shpesh përdoren më tepër për të sharë. Kjo ngarkesë i bën ato që të ruhen në gjuhën e folur dhe në ligjërimin emocional pa iu druajtur përpjekjeve për zëvendësimin e tyre, aq sa mund të thuhet se mbeten të pazëvendësueshme në këtë funksion. Po përzgjedh fjalën lezet, së cilës mund t’i gjenden sinonime sipas konteksteve, por ato nuk e kanë zëvendësuar dot dhe ka çerdhen e vet: i lezetshëm, i palezetshëm, lezetoj. Do të rendisja mbi 220 shembuj, që nisin me alamet e mbarojnë me zuzar.
E vlen ta ritheksoj, se shqipja në radhë të parë ka qenë në marrëdhënie më të ngushta me turqishten e folur, ndërsa osmanishtes si gjuha e shkruar i përkasin pjesa më e madhe e historizmave, të cilat prandaj edhe kanë pësuar më pak ndryshime në shqipen. Për pasojë, shtresimi stilistik brenda shqipes ka prekur gjerësisht fjalët nga turqishtja e folur.
Krahas historizmave dhe fjalëve, për të cilat është bërë një punë e vetëdijshme që të mënjanohen nga gjuha shqipe, një masë jo e vogël turqizmash është vjetruar për arsye të ndryshme.  Këto  fjalë të vjetruara kanë mbetur në gjuhën e folur të brezave të moshuar, nëpër dialekte dhe në ligjërimin e shkujdesur. Në këto rrethana ato kanë ngjyrim të ndjeshëm dhe shfrytëzohen për qëllime stilistike e për karakterizim nga pikëpamje të ndryshme, që nga dhënia e prapambetjes dhe e shtresës së pakulturuar të njerëzve e deri te satira dhe karakterizimi i mjedisit e ngjyrimi i kohës. Shembuj për këto dukuri gjenden me shumicë jo vetëm në letërsi, por edhe në veprat për skenën e në publicistikë.
Është e vërtetë që edhe ndonjë historizëm sipas rastit është përdorur me ngjyrim stilistik, më shpesh keqësues, por edhe këtu kam një vërejtje thelbësore. Po marr si shembull turqizmin zabit për oficer dheasqer për ushtar. Fjalori i vitit 1980 ka dhënë si kuptim të dytë keqësues: oficer i egër dhe ushtar i çrregullt. Kjo nuk qëndron, sepse edhe thëniet aty: Sillet si ndonjë zabit. Iku koha e zabitëve. nuk e vërtetojnë aspak shënimin stilistik (për asqerin as është gjetur dot një thënie).
Të gjitha këto tashmë i përkasin historisë, bashkë me ngjyrimet dhe përdoruesit e tyre, bashkë me ata që kanë shkruar për to. Të gjitha këto janë histori dhe vetëm histori, nuk janë më realitet gjuhësor. Thuhet se fjalorët mbeten prapa kohës, por në epokën e kompjuterit kjo nuk është më e vërtetë. Tashti janë leksikologët dhe leksikografët tanë që kanë mbetur prapa në kohë.
Do të ndalesha shkurt edhe te një dukuri, që është quajtur letërsia e bejtexhinjve. Nuk qëndron pohimi i përsëritur shpesh, se vargjet e kësaj letërsie dëshmojnë për rëndimin e jashtëzakonshëm të shqipes me orientalizma. Përmbledhtazi do të vë në dukje, se kjo letërsi erdhi te ne si një formacion letrar i plotë, bashkë me gjithë karakteristikat gjuhësore si rrymë poetike. Ndër kryesoret mbahej si vlerë artistike përzierja e fjalëve turke, arabe dhe perse. Prandaj bejtexhinjtë nuk i janë drejtuar gjendjes së gjuhës shqipe në kohën e tyre dhe nuk e kanë pasqyruar atë. Për ata ishte një tipar i gjuhës poetike kjo përzierje, të cilën e ka qortuar fort Naimi, rrjedhimisht shumë orientalizma në bejtet e tyre kuptoheshin vetëm nga rrethi i njerëzve të ushqyer me këtë poezi në vendet ku kishin mbaruar shkollat jo në gjuhën shqipe. Ndërsa shqiptarët as në atë kohë dhe as sot nuk mund t’i kuptojnë plotësisht ato bejte pa ua shpejguar ose pa një fjalor. Pikërisht këtë tip poezie e ka dëshmuar qartë E. Çelebiu në shek. XVII dhe e ka kuptuar, sepse nuk ishte shqip. Vlera e letërsisë orientaliste te ne matet me largësinë nga kjo përzierje.
Nuk mund të quhen turqizma të leksikut të shqipes ato fjalë e shprehje, që përdoren vetëm nga autorë të veçantë për qëllime shprehëse e stilistike, ndërkohë që nuk janë përdorur nga folësit e shqipes në përgjithësi. Tashmë janë vënë në dukje rastet e shfrytëzimit të orientalizmave për qëllime artistike prej Fan Nolit. Te krijimet origjinale dhe te përkthimet e këtij lëvruesi të shquar të shqipes gjejmë, për shembull, edhe: arish, batërma, bilek etj., por nuk mund të pranohet që këto të numërohen ndër orientalizmat e shqipes. Vërtet Noli ka përdorur “lisan” në një përkthim, por kurrë shqiptarët nuk i kanë thënë gjuhës “lisan”. Në vitin 2000 është botuar Fjalori fishtjan (me të meta të mëdha) nga P. Jaku, ku përfshihen shumë orientalizma individuale të Gj. Fishtës, si: ajllëk, bendenyz, besh dort, dollma, domuza, dumbara, heqimesh etj. Nga ana tjetër, autorët sidomos në veprat humoristike e satirike për arsyet e tyre shprehëse edhe krijojnë fjalë mbi bazën e elementëve orientalë si neologjizma individualë, që mbeten brenda tekstit të tyre ndërsa nuk bëhen pjesë e leksikut të përgjithshëm. dhe kuptohen afërsisht nga lexuesit, të cilët më tepër rrokin vlerën e tyre artistike.
Për vlerat e veçanta artistike që merr proza e I. Kadaresë, duke ndërtuar përftesa origjinale me shtresat leksikore, me fjalët e vjetruara, historizmat, arkaizmat, huazimet dhe fjalëformimin kam shkruar para shumë kohësh.  Kam vënë në dukje përftesat për të dhënë kohën dhe atmosferën historike, koloritin e mjedisit, për karakterizimin e gjuhës së personazheve, vendosjen e barasvlerëseve në të njëjtin kontekst deri te arkaizimi i gjuhës dhe stilizimi historik i ligjërimit.  Po përmend vetëm neologjizmat  nga “Komisioni i festës”:bashbakllava, bashdefter, bashtepsi, derebejlerllëk, hiçkatran, kalifnor, katil-ferman, kryeçengi.
Për të dëshmuar qëndrimin e sotëm kundrejt fjalëve me prejardhje turke, më lejoni të përnend një dukuri të veçantë humoristike. Janë sajuar për të qeshur një varg togfjalëshash kinse të turqishtes. Pavarësisht se nuk përfaqësojnë ndonjë vlerë studimore, gjithsesi japin idenë për përfytyrimin e sotëm fonetik dhe semantik te brezi i ri mbi fjalët turke dhe i përkasin ligjërimit të shkujdesur. Të tilla janë, p.sh.: haber dollappër televizorin, kalem hajvan për politikanin, kallkan dollap për frigoriferin, pishman buton për shuarjen në kompjuter (cancel). Asnjë grup tjetër huazimesh nga gjuhët e tjera nuk është përfshirë në një përftesë të tillë humoristike.
Ka nevojë për një dallim të ri thelbësor të huazimeve prej citimeve, i cili zgjidh edhe problemin e arabizmave. Huazimet janë fjalë ose togfjalësha nga një gjuhë e huaj, që përdoren në tekstet gojore e të shkruara të shqipes, duke iu nënshtruar fonetikës, drejtshkrimit, gramatikës dhe rregullave të ndërtimit të teksteve shqipe. Citimet janë fjalë ose togfjalësha të një gjuhe të huaj, që përdoren në tekstet gojore e të shkruara të shqipes, pa iu nënshtruar fonetikës, drejtshkrimit, gramatikës dhe rregullave të ndërtimit të teksteve shqipe. Huazimet kanë sinonime dhe mund të kenë edhe barasvlerëse të shqipëruara, kurse citimet nuk kanë barasvlerëse e sinonime dhe ndonjëherë shoqërohen me përkthime ose shpjegime. Citimet shkruhen me kursive, ose vihen në thonjëza a në kllapa. Shpesh huazimet në fillim përdoren si citime dhe, me kalimin e kohës, përvetësohen, si të thuash, i bjerrin thonjëzat dhe hyjnë jo në tekstet shqipe, por në leksikun e shqipes.
Citimet nuk janë pjesë e leksikut të shqipes. Shembujt më të zakonshëm janë citimet nga latinishtja, si: de jure, de facto, sine qua non etj. Nga anglishtja tashmë kemi mjaft citime të tilla, të cilat përbëjnë një problem të vështirë për përdorimin e sotëm, si: Hi-Tech, Top Story, Hit Parade etj., etj.
Një dallim i tillë është i domosdoshëm edhe për orientalizmat. Sigurisht që dalin në librin e historisë së Shqipërisë: toka mylk (erz-i mirie), toka vakëf (erz-i vakif), toka metruq (erz-i metruq), toka envat (erz-i envat), ndërkaq krejt natyrshëm njësi të tilla nuk paraqiten në fjalorët e shqipes. Mirëpo në një varg rastesh të tjera trajtimet tregojnë përsëri një paqartësi të koncepteve. Esh-hedu- bilah te T. Dizdari nga arabishtja është përdorur si shprehje, si citat, po asnjëherë nuk është integruar në gjuhën tonë, domethënë fjalët e saj nuk kanë marrë asgjë nga karakteristikat e shqipes, madje ata që e kanë përdorur, kur nuk kanë ditur arabishten, as e kanë njohur domethënien “dëshmoj në perëndinë”. Është krejt e natyrshme, që një mysliman i mirë njeh një varg shprehjesh arabisht nga Kurani, ashtu siç i njohin pasuesit e kësaj feje kudo në botë. Po çfarë ka të bëjë kjo me orientalizmat e shqipes? Në literaturën islame shqip, jemi përpara një dygjuhësie të zakonshme.  Rrjedhimisht, e quaj krejt të papërshtatshme, që në Fjalorin e orientalizmave të shqipes të përfshihen njësi të tilla: abdyselat, Allah ashkena, Allahu ekber, allahrazolla, ehl-i zimmet, estakfurullah, tobestakfurullah, pasha Rabilaleminin etj. E njëjta gjë vlen për citimet nga turqishtja:allahbelaversi (e kam dëgjuar rregullisht allhabinbelaversën), eshkna dakmosunallah selamet,lahavlevela  etj.
Karakteristika gjuhësore kryesore e këtyre citimeve është se përdoren si pasthirrma ose si fjalë të ndërmjetme, domethënë mbeten në një tip përdorimi, i cili nuk ua lehtëson nënshtrimin sipas shqipes, nuk i shtyn drejt përvetësimit në gjuhën tonë. Që t’i pranonim si pjesë të leksikut të shqipes, do të duhej ta përmbysnim gjithë konceptin tonë për shqipen si gjuhë indoeuropiane, për gramatikën e shqipes; do të duhej të pranonim se ka një pjesë të fjalëve shqipe që nuk kanë as gjini, as shquarësi, as rasa, as përshtatje etj. Për mendimin tim, në një fjalor të tillë special këto duheshin paraqitur veçan në fund, ashtu siç jepen, për shembull, shprehjet latine në fund të disa fjalorëve. Dhe të zbriten pa mëdyshje nga shifra 4500.
Për të mos lindur përshtypja se qëllimi i këtij shkrimi është vetëm pakësimi i huazimeve orientale në trajtimet gjuhësore dhe në fjalorët, po vë në dukje disa mungesa. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipemungojnë fjalët: karshillëk, katrama (nga tq. katranlamak, mungon edhe në ribotimin e vitit 2006, madje edhe te T. Dizdari) etj., ndërsa mund të shtoja edhe 100 turqizma, që nuk i përmban Fjalori i T. Dizdarit. Edhe rastet e tilla dëshmojnë gjithashtu se pas daljes së Fjalorit të T. Dizdarit ka nevojë për punë të mëtejshme për orientalizmat e shqipes.
Përfundimi kryesor që del nga shqyrtimi i këtyre çështjeve është se prirja për të gjurmuar sa më shumë orientalizma në gjuhën shqipe jo vetëm nuk është shkencërisht e drejtë, por bie në kundërshtim me historinë,  me gjendjen e sotme të leksikut të shqipes dhe me evoluimin e tij të ardhshëm.Kam një pyetje të thjeshtë: çfarë i vlen shkencës shqiptare dhe praktikës ligjërimore po të kemi rrëmuar sa më shumë huazime orientale? Për më tepër, çfarë do të sillte, në rast se sipas së njëjtës prirje dhe po me ato metoda të gabuara, do të rrëmonim, për shembull, sa më shumë huazime italiane në leksikun e shqipes? Po rikujtoj vjershën e njohur të Filip Shirokës, që përqeshte të rinjtë e kohës me fjalët italiane. A mund të quhen ato dëshmi shkencore për leksikun e shqipes?  Dukuritë e modës kanë vendin e tyre në sociolinguistikë, porse për të dëshmuar sesa kalimtare janë moda dhe zhargonet.
Parimet dhe metoda e studimit duhet të jenë të njëjta si për huazimet nga turqishtja, ashtu edhe nga latinishtja, italishtja, greqishtja, gjuhët sllave, anglishtja, rusishtja. Përndryshe do të çojmë ujë në mullirin e atyre, që në mënyrë tendencioze janë shprehur se shqipja është veç një gjuhë e përzier. Duke renditur vetëm pak fjalë, si: açikgjoz, afaxhan, agërbazë, aishekadën, akshamsefa, aljaba, allahbiler, allaxhak-verexhek, alltënbash, arabajoll, arzuhallxhi, aslifaslijok, bakllasarmë, bashystyna, belsauk, beshdarah, bexhaish, birinxhikullë, boga, bukadar, çarnak, çegene, do të shtroj pyetjen: a është kjo gjuha shqipe? Përgjigja ime është e qartë dhe e prerë: shqipja jonë as ka qenë dhe as është një gjuhë e tillë.
Por njëkohësisht është e pafalshme, që duke ecur në këtë rrugë të shtrembër, të arrihen përfundime si ato të M. Samarës, i cili ka shkruar: “Kjo vepër është shprehje e integrimeve pozitive ndërmjet kulturave e gjuhëve, të cilat kanë dhënë e kanë marrë ose kanë ndikuar te njëra-tjetra.” E para pyetje, të cilën do ta bënte edhe njeriu më i zakonshëm, është: Çfarë ka marrë turqishtja nga shqipja? Ku janë 4000 fjalë me prejardhje shqipe në turqishten? Cilët elementë të kulturës shqiptare kanë marrë turqit? Dhe kryesorja: Cili është kuptimi i fjalës integrim këtu?  M. Samara e ka emrin si hartues dhe redaktor në Fjalorin e gjuhës së sotme të vitit 1980 dhe deri në ribotimin e vitit 2006. Aty folja integroj pa ndryshim për një çerek shekulli përkufizohet kështu: “lidh pjesët a anët e diçkaje në një të tërë; përfshij në një të tërë si pjesë përbërëse dhe të pandarë të saj; bashkoj a shkrij në një njësi të vetme”.
Sipas M. Samarës atëherë shqipja dhe turqishtja janë lidhur në një të tërë, janë përfshirë si pjesë përbërëse të pandara, janë bashkuar e shkrirë në një njësi të vetme. Kështu na qenka zbuluar një gjuhë e re me pjesë të pandara shqipe e turke. Nuk e di se ku përdoret kjo në Turqi, por këtu te ne ende nuk e ka gjetur emrin ose presim ta huazojmë prej andej. Shqipja është një gjuhë indoeuropiane dhe jo gjuhë turanike; shqiptarët janë popull europian dhe jo turkmen, pavarësisht se paska profesorë të gjuhësisë që nuk i ditkan këto gjëra.
Është përftuar një mitologji leksikologjike dhe leksikografike për huazimet e shqipes, e cila është e nevojshme të rrëzohet me themel dhe në vend të saj të ndërtohet një paraqitje shkencore dhe me vërtetësi e leksikut të shqipes.

0 comments:

Proudly Powered by Blogger.