Rreth librit Dialektet e shqipes

by Publiciteti  |  in Kultura at  8:55 AM

Nga Nga Prof.Dr.Bahri Beci 

Dialektologjia është një nga fushat e gjuhësisë shqiptare që ka shënuar arritjet më të mëdha deri në vitet nëntëdhjetë. Një material i pasur dialektor, mirë i sistemuar, ruhet në kartotekën e dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, po kështu një numër i konsiderueshëm regjistrimesh me magnetofon, përfshirë edhe tërësinë e materialeve të regjistruara për Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe (ADGJSH), ruhen në arkivin e Institutit të Folklorit, mbi 60 skica dhe monografi dialektore janë botuar për shumicën e të folmeve të shqipes.
Janë shkruar gjithashtu dhjetëra studime me karakter përgjithësues për dukuri të veçanta dialektore dhe për grupe të folmesh. Janë botuar libra për dialektet dhe historinë e formimit të tyre, për të folmet e gegërishtes veriperëndimore dhe qendrore, janë botuar shtatë variante të tekstit të dialektologjisë shqiptare dhe një tekst për sistemin “Bachelor”, si edhe libri Gjuha shqipe dhe dialektet e saj nga A. V. Desnickaja dhe, mbi të gjitha, është botuar ADGJSH.
Në themel të gjitha kësaj pune është pa dyshim kontributi i shumë studiuesve nga Shqipëria, Kosova, diaspora etj., që pa u lodhur për vite të tëra, në kushte jo gjithmonë të favorshme, kanë gjurmuar e regjistruar të folmet e shqipes, kanë skeduar materialet e mbledhura, kanë hartuar skica monografi dialektore për të folmet e shqipes, kanë hartuar studime përgjithësuese.
Por, ashtu si edhe fushat e tjera të kulturës e të dijes, në Shqipëri, në periudhën e pasluftës, midis viteve 1944-1990 edhe dialektologjia nuk i ka shpëtuar mungesës së lirisë akademike dhe diktatit që impononte sistemi   monist i kohës.
Me këtë mund të shpjegohet, besoj, që për pesëdhjetë vite me radhë studentët shqiptare kanë qenë të detyruar të përdorin variantet e të njëjtit tekst, të hartuar nga i njëjti autor.
Duke filluar nga viti 1963 i njëjti tekst është botuar në 5 variante (1963, 1969, 1975, 1988, 1989) nga J. Gjinari dhe dy varianteve të tjera (më 1997 dhe 2000, ribotuar 2003, 2013) nga J. Gjinari e Gj. Shkurtaj.
Sikur të mos mjaftonin këto, më 2012 Gj. Shkurtaj boton një tekst “të ri” të dialektologjisë shqiptare, të emërtuar “Dialektet e shqipes, Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore, sipas hartave të ADGJSH-së, Të folmet shqipe të diasporës (shkurtore për sistemin “Bashelor”), 288 faqe.
Se cilat janë arsyet që e kanë detyruar autorin të i vetëm një variant të tetë të tekstit të dialektologjisë është e vështirë të kuptohet.
Në të vërtetë një tekst i ri i dialektologjisë shqiptare do të ishte i përligjur në kushtet e daljes në dritë të materialeve të reja të panjohura, të një mënyre të re të konceptimit të objektit ose të metodës së parashtrimit të të dhënave, po edhe për shkak të evidentimit të një problematike të re të patrajtuar deri tani etj.
Po e vërteta është se ky libër “i ri” nga njëri prej dy bashkautorëve të dy varianteve të tekstit të dialektologjisë të botuar më 1997, 2000 (ribotuar 2003, 2013) nuk është rezultat i evolucionit të kërkimeve ose i një mënyre tjetër të menduari a të trajtuari të problematikës së gjuhës dialektore shqipe, po shprehje a rezultat i mungesës së qartësisë dhe stabilitetit në qëndrimet e autorit ndaj objektit, metodës dhe përmbajtjes se një studimi përgjithësues për dialektet e shqipes.
Libri ka dy pjesë themelore: I. Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore, sipas hartave të ADGJSH-së dhe II. Të folmet shqipe të diasporës.
Pas fjalës paraprijëse dhe hyrjes (9 faqe) ka këto nënndarje: I. 1.Gjuha dhe dialektet, lidhja dhe marrëdhëniet e tyre (f. 21 faqe); 2. Tiparet e përbashkëta dhe dallimet ndërmjet dy dialekteve të shqipes (6faqe); 3. Dallimet fonetike ndërmjet dy dialekteve të shqipes (19 faqe); 4. Dallimet morfologjike (40 faqe); 5. Dallimet leksikore midis dialekteve të shqipes (151 faqe); 6. Studimi i dialekteve të shqipes (13 faqe); 7. Pjesë mbështetëse përnjohëse dhe ndihmuese për seminare praktike (10 faqe), 8. Të folmet shqipe të diasporës (57 faqe), 9. Pjesë mbështetëse ( Shkurtore rreth ndarjes dialektore të shqipes (5 faqe); 10. Tekste dialektore (15 faqe), 11. Modele për analizë dialektologjike( 6 faqe) dhe Detyra të shkurtra me shkrim në seminare (3 faqe).
Në krahasim me dy botimet para tij, Dialektologjia 1997, dhe Dialektologjia, 2000 (ribotuar më 2003 dhe 2013), të vetmet shtesa e në këtë botim “të ri” janë: Modelet për analiza dialektologjike(6 faqedhe Detyrat të shkurtra me shkrim (3 faqe) që lidhen me aspektin pedagogjik të tekstit, po jo me karakterin shkencor të tij.
Besoj se është e vështirë që me këto 9 faqe shtesë të aspektit pedagogjik të justifikohet botimi i një libri “të ri” pas botimit prej tij dhe J. Gjinarit të dy teksteve të mësipërme, i pari prej 455 faqesh dhe i dyti prej 487 faqesh.
Po le ta vështrojmë këtë variant “të ri” të tekstit të dialektologjisë shqiptare më për së afërmi.
Në fjalën paraprijëse Gj. Shkurtaj, edhe pse nuk flet shprehimisht për objektin e këtij studimi, le të kuptohet se synimi i librit është të paraqesë “njësinë (unitetin) dhe larminë dialektore të shqipesnë hapësirat dhe trevat e ndryshme shqiptare… .” (faqe 7).
Që në një punim kushtuar dialekteve të shqipes, të synohet të paraqitet edhe “njësia” (uniteti) i shqipes” edhe “larmia dialektore” është një non-sens që zor se mund të deshifrohet.
Libri quhet Dialektet e shqipes, kurse synim është të paraqitetfillimisht njësia” (uniteti) i shqipes, çka vështirë se mund të kuptohet se si mund të realizohet në një tekst për dialektet e shqipes. Dhe me të vërtetë të ashtuquajturës “njësia” (uniteti) i shqipes” në tekst drejtpërsëdrejti i kushtohen vetëm dy faqe.
Po kështu në fjalën paraprijëse të librit të tij lihet të kuptohet se synimi i librit, ndër të tjera, është të paraqesë “njësinë (unitetin) dhe larminë dialektore të shqipes… në Evropë në botë .
Është edhe ky një non-sens tjetër që zor se mund të imagjinohet realizimi i tij.
Dhe më të vërtetë, kur shikon për së afërmi librin konstaton se nuk flitet (me gjendjen e sotme të studimeve, as nuk mund të mendohet se mund të flitet)për shqipen në vendet e ndryshme të Evropës dhe të botës, kam parasysh sidomos diasporën e re shqiptare që, pas viteve nëntëdhjetë, është bërë, do të thosha, botërore.
Në titullin e librit lihet të kuptohet se do të trajtohen Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore,sipas hartave të ADGJSH-së. Po edhe në fjalën paraprijëse thuhet shprehimisht që “parashtrimi i tipareve të dialekteve të shqipes… është bërë duke u mbështetur sa më gjerë edhe në hartat e ADGJSH-së.
Pra, siç shihet, autori përpiqet ta “përligjë” botimin e këtij libri pas pesë varianteve të botuara nga J. Gjinari dhe 2 varianteve nga ai dhe J. Gjinari, me argumentin se mbështet në të dhënat e ADGJSH-së, duke krijuar përshtypjen se, për herë të parë, po botohet një tekst për dialektet e shqipes i mbështetur në të dhënat e ADGJSH-së. Mirëpo J. Gjinari ka pohuar që në vitin 1988 se në hartimin e variantit të katërt të tekstit të dialektologjisë shqiptare ai është mbështetur “në Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe. Edhe në botimin e pestë të tekstit të bërë më 1989 thuhet shprehimisht se të dhënat janë nxjerrë edhe nga Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe.
Pra, prania e këtij varianti të ri të tekstit të dialektologjisë shqiptare, pas kaq shumë varianteve të hartuar herë vetëm nga J. Gjinari dhe herë nga J. Gjinari e Gj. Shkurtaj, nuk përligjet me argumentin se, në parashtrimin e tipareve dialektore të shqipes, është mbështetur në ADGJSH-në.
Në fjalën paraprijëse dhe në hyrje të këtij libri të tërheqin vëmendjen disa formulime pa pavend a pa vlerë, të paqarta a të pakuptimta dhe të gabuara shkencërisht. Për ilustrim po japim disa prej tyre.
Për mua, shkruan autori, gjuha dhe dialektet nuk janë dy ushtri që ndeshen dhe njëra do ta asgjësojë tjetrën, por ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme dhe shkojnë në të njëjtin det të përbashkët: ligjërimit shqip ose “…në gjuhë (në çdo gjuhë) vepron parimi i ujit në enët komunikuesedhe i ujërave në përgjithësi.Ajo që vjen prej përrenjve e lumenjve niset dhe gjakon të shkojë drejt detit, ku, ndonëse në nisje i turbullt e i ndryshëm, duke shkuar shtratit më të thellë të lumenjve dhe sidomos kur mbërrin në det, vjen e njëjtësohet, bëhet thjeshtë ujë deti” ose “Ishte ujë i ëmbël do të bëhet i kripurishte i turbullt nga prurjet prej përrenjve e përroskave a shenave, porse do të kthjellohet e njëjtësohet më masën e stërmadhe të ujit të detit. Por, edhe në nisje, qysh nga boenat e përroskat e vogla të krijuara prej shiut, ai ujë është.
Duke gjykuar sipas këtyre “pohimeve të autorit të këtij libri të “ri” del se dialektet dhe gjuha janë dy gjëra të ndryshme, dialektet ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme (?!)kursegjuha deti ku shkojnë a derdhen ato (?!) ose dialektet përrenj, lumenj (?!)kursegjuha deti ku ata derdhen (?!)pra gjithsesi dy gjëra të ndryshme (?! BB). Në kundërshtim me këtë në faqen 15 të tekstit ka shkruar “Dialektet dhe gjuha janë e njëjta gjë…”. Më qartë se kaq nuk ka, nuk më duhet mua se çfarë shkruaj unë.
Po kështu në këtë pjesë hyrëse të punimit gjen edhe formulime të tilla pa asnjë kuptim e vlerë si“Kam qenë e mbetëm ithtar i thënies urtake të J. Rrotës se gjuha shkon tue u bamë ato ndryshime të veta”, si edhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu, sipas rasteve e rrethanave, mundet me e dredhë gjuhën në përshtatje me mjedise ose synime të caktuara” ose se “J. Rrota me largpamësi e kthjelltësi të mahnitshmeformuloi parimin e tij se njeriu mundet me e dredhë gjuhën prej dialektit në gjuhën e përbashkët dhe anasjelltas (?!).
Në fjalën paraprijëse dhe në hyrje të këtij libri vihet re një mungesë serioze stabiliteti lidhur me terminologjinë e përdorur. Vetëm brenda faqeve të para të tekstit (7-17) janë përdorur rreth 11 emërtime të ndryshme për të shënuar shqipen standarde: gjuhë standardeshqipe e njësuar e përbashkët, shqipe standardeshqipe e shkruar e njësuar (që po quhet “standarde”), shqipe standarde e njëjtë dhe e përbashkëtshqipe e përbashkmeshqipe e përbashkët standarde,gjuhë e shkollësgjuhë e përbashkëtvarieteti standardshqipe e shkruar zyrtare.
Po kështu, duke dashur të paraqes larmin e gjuhës në procesin e realizimeve të saj konkrete, shkruan se “mund të na ndimojë një paraqitje që mbështetet në idenë e qilimit, i cili është realisht i larmë dhe që përmban shumë ngjyra: të kuqen, të bardhën, të zezën, të gjelbërtën, të murrmen, të hirtën, të kuqërremtën etj. si dhe ojna që nuk kanë mbarim; por, po ta shohim nga larg, do të na duket sikur të ishte vetëm me një ngjyrë”. Besoj se çdo koment është i tepërt.
Po kështu, me sa duket për tu bërë “interesant” (?!) a për t’u treguar “popullor” (?!), autori në fjalën paraprijëse dhe në hyrje përdorë emërtime me ngjyrime folklorike që nuk kanë të bëjnë me terminologjinë shkencore si “gjuha e nënës”, “gjuha e zemrës, osegjuha nuk mund të jetëbllok monolit, atje ku i thonë bukës “buk” dhe ujit “ujë” si edhe me e dredh gjuhën etj.
Në kapitullin e parë të tekstit me karakter “teorik”Gjuha dhe dialektet, lidhja dhe marrëdhëniet e tyre, gjëja e parë që të bie në sy është përpjekja e autori për të sqaruar lexuesin lidhur me përkufizimin e dialektit. Përfundimi në të cilin arrin është se “përkufizimin më të saktë për dialektin ndër ne e ka dhënë J. Gjinari”, sikur përkufizimi i dialektit të jetë problem i gjuhësisë shqiptare dhe jo i dialektologjisë a gjuhësisë së përgjithshme. Dhe pas këtij përfundimi origjinal, do të thosha, në kundërshtim me sa më sipër, duke folur për termin dialekt shkruan se “kuptimi i termit dialekt në vetëvete nuk është përcaktuar ende me gjithë rreptësinë e duhur”. Dhe në vijim jep një tjetër përkufizim për dialektin pa shënuar se kujt i përket “gjuha është njësia gjuhësore më e lartë, e pranuar përgjithësisht si e tillë nga një bashkësi (një popull), ndërsa dialekti është një variacion vendor i saj i pranuar nga një grup i vogël”.
Pra brenda tri faqeve tre përkufizime të ndryshme për dialektin (?!).
Po ajo që tërheq më shumë vëmendjen është se në këtë pjesë të parë “teorike” të punimit, autori përpiqet të vërë shenjën e barazimit ndërmjet konceptit të Andre Martinesë (Andre Martinet) që e konsideron dialektin si një rreth i ndarë në disa pjesë me anë rrezesh që nisen nga qendra, ku secila pjesë përfaqëson, sipas tij një dialekt që ai e shënon d1, d2, d3 etj., me ndarjen suksesive në dialekte, nëndialekte, grupe të folmesh, të folme, skemë e zbatuar tek ne.
Skema e zbatuar tek ne që e paraqet strukturën dialektore të shqipes si një ndarje suksesive në hapësirë nga njësi më të mëdha në njësi më të vogla, pra fillimisht në dy dialekte dhe të secilit dialekt në dy nëndialekte dhe të secilit nëndialekt në dy grupe të folmesh, për mendimin tonë, nuk ka asgjë të përbashkët me skemën e paraqitur nga A. Martineja.
Bëhet, pra, një përpjekje, do të thosha e sforcuar dhe pa bazë për t’i dhënë ndarjes dialektore të shqipes në mënyrë suksesive në hapësirë nga njësi më të mëdha në më të vogla, të zbatuar tek ne, pra edhe në tekstin e tij, një mbështetje teorike si të thuash ndërkombëtare, çka nuk është as e saktë as e vërtetë.
Në fillim të kapitullit kushtuar tipareve të përbashkëta dhe dallimeve ndërmjet dy dialekteve të shqipes gjejmë një formulim të tillë : Koncepti ynë ka qenë dhe mbetet ky: shqipja është gjuhë e të gjithë shqiptarëve dhe, në të gjitha hapësirat shqiptare të trojeve kompakte ballkanike, këndej dhe përtej kufijve shtetërorë të RSh-së, atje ku i thonë bukës “bukë” dhe ujit “ujë”, banorët e etnikumit shqiptar, e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe” (Pse ka të tjerë që mendojnë ndryshe?!).
Në dy variantet e tekstit të dialektologjisë të botuar në bashkautorësi me J. Gjinarin përkatësisht më 1997 dhe 2000 (ribotuar më 2003 dhe 2013), në kapitullin kushtuar klasifikimit të dallimeve fonetike thuhet se do të zbatohet kriteri strukturor dhe funksional.
Në dallim prej këtyre dy varianteve të tekstit të dialektologjisë, në këtë variant të “ri” të botuar nga Gj. Shkurtaj, hyhet direkt në parashtrimin e tipareve dalluese fonetike pa u dhënë ndonjë shpjegim a kriter teorik për parashtrimin e dukurive dialektore fonetike. Përse një qëndrim i tillë nga ana e autorit të këtij libri “të ri” është e vështirë të kuptohet.
Për të pasur një pamje sa më të plotë dhe të atillë që të na lejojë të shohim dallimin dialektor, por pa bjerrë mundësinë e të hetuarit edhe të njësisë (unitetit) të shqipes, shkruan autori i këtij libri, mënyra më e përshtatshme është ajo që dukuritë e së njëjtës farë fonetike t’i grupojmë në mënyrë që të fitojmë izoglosa të qarta dhe të vlefshme”. Për ne është e pakuptueshme se si mund të shihen dallimet dialektore pa bjerrë mundësinë e të hetuarit edhe të njësisë (unitetit) të shqipes.
Është edhe ky një non-sens që kërkon shpjegime të tjera për t’u bërë i kuptueshëm e i pranueshëm.
Në të vërtetë në paraqitjen konkrete të dukurive dialektore në tekstin e Gj. Shkurtajt vihet re një braktisje totale e metodës strukturore e funksionale të analizës të shpallur si themelore në dy botimet para tij të hartuara në bashkautorësi me J. Gjinarin. Edhe për këtë nuk jepet ndonjë shpjegim a argumentim nga ana e autorit.
Lidhur me dukuritë dialektore të trajtuara ripohohet se parashtrimi i tipareve të dialekteve të shqipes është bërë “duke u mbështetur sa më gjerë edhe në hartat e ADGJSH-së”.
Ne kemi verifikuar disa nga dukuritë e trajtuara nga autori për të parë saktësinë e këtij pohimi dhe kemi arritur në përfundimin se ky pohim është pjesërisht e vërtetë (për këtë shih ndër të tjera “dallimet në vendin e theksit” faqe 46).
Hartat e ADGJSH-së më së shumti jepen si ilustrim i pohimeve të autorit lidhur me shtrirjen e dukurive dialektore fonetike, po edhe këto nga verifikimet tona me shumë pasaktësi.
Në këto rrethana do të duhej të jepeshin të paktën burimet e tjera që i kanë shërbyer për të përcaktuar shtrirjen territoriale të dukurive fonetike që trajtohen. Mirëpo nuk thuhet se në cilat punime konkretisht është mbështetur autori për përcaktimin e shtrirjes së dukurive dialektore fonetike të shqipes. Dhe ajo që të çudit nuk është se në 18 faqe kushtuar përcaktimit të shtrirjes së dukurive dialektore fonetike nuk ka asnjë citim nga punimet dialektologjike për shtrirjen e dukurive fonetike dialektore, kurse ka dhjetë referenca nga E. Çabej për historinë e këtyre dukurive (diçka e tepërt në një paraqitje sinkronike të dukurive dialektore) dhe tri referenca nga J. Rrota për shtrirjen e disa dukurive.
Ngjan si një lloj snobizmi referimi me vend e pa vend tek E. Çabej e J. Rrota sidomos për shtrirjen e dukurive dialektore të shqipes, po të kemi parasysh rezultatet shkencore të arritura në përshkrimin e dukurive dialektore të shqipes nga studiuesit shqiptarë këtej e andej kufirit në periudhën e pasluftës.
Në dy variantet e tekstit të botuar më 1997 dhe 2000 (ribotuar më 2003 dhe 2013) në bashkautorësi me J. Gjinarin lidhur me dukuritë dialektore morfologjike shkruhet se mund të klasifikohen në: 1) dallime të inventarit të strukturave dhe në 2) dallime në variantet e strukturave; sedallimet e grupit të dytë ndahen në: 1) dallime të shpërndarjes së varianteve të strukturave dhe në dallime të 2)varianteve fonetike të formave gramatikore.
Në dallim nga sa më sipër në këtë variant të “ri” të tekstit të dialektologjisë shqiptare të hartuar nga Gj. Shkurtaj nuk jepet ndonjë klasifikim strukturor dhe funksional i formave dhe mjeteve gramatikore, po pranohet ndër të tjera se “Dallime jo të pakta, gjithashtu pa vlerë kuptimdalluese (?!), por mirëfilli morfologjike, ka ndërmjet gegërishtes e toskërishtes (po në njësitë e tjera më të vogla nuk ka?!) në gati të gjitha kategoritë gramatikore (deri tani ka insistuar se dialektet e gjuhës shqipe janë shumë të afërta me njëri tjetrin (?!)”. Pas kësaj kalohet direkt në parashtrimin e shtrirjes së dukurive dialektore morfologjike në të folmet e shqipes, po, edhe këtu, pa na dhënë shpjegime lidhur me burimet ku është mbështetur për përcaktimin e shtrirjes së dukurive morfologjike.
Nga një krahasim i shpejtë i të dhënave për shtrirjen e dukurive dialektore morfologjike në këtë tekst me ato të parashtruara në dy variantet e botuara përkatësisht më 1997 dhe 2000 (ribotuar më 2003, 2013) vihet re se përshkrimet për trajtën e shquar të emrave mashkullorë, njëjës që mbarojnë me ua dhe të atyre që mbarojnë me k, g, h etj., për rasën vendore, për mbiemrin, për përemrat dëftorë dhe përemrat e pacaktuar janë marrë nga botimet e vitit 1997, 2000 të tekstit të dialektologjisë. Po kështu pohimet për shumësin e emrave, për rasën gjinore-dhanore, për përemrat vetorë janë marrë pjesërisht nga këto dy botime. Tek hartat e ADGJSH-së është mbështetur vetëm për shumësin e emrave (faqe 71-75).
Lidhur me mënyrën e parashtrimit të dukurive dialektore, qofshin këto fonetike qofshin morfologjike, në tekstin e Gj. Shkurtaj vihet re një kthim tek metoda e zbatuar në variantet e tekstit të dialektologjisë të J. Gjinari, të hartuar e të botuar, përkatësisht, më 1963 dhe1975.
Një gjë tjetër që vihet re gjatë parashtrimit të dukurive dialektore të shqipes është se përzihen pa kriter vështrimi sinkronik i dukurive të trajtuara me vështrimin diakronik. Për këtë mjafton të shihen pohimet e bëra për zanoret e gjata, për togjet e zanoreve, për grupet e bashkëtingëlloreve etj.
Përzierje planesh (diakronik e sinkronik) vihen re edhe në emërtimet e dukurive. Nga njëra anë flitet për zanore të gjata, për ë të patheksuar, për togje të zanoreve, për grupe mb, nd, ng, ngjdhe nga ana tjetër për ndërrime fonetike historike të dialekteve të shqipespër ndërrim historik të ã-së hundore në ë etj.
Po kështu vihet re një përzierje pa kriter e problemeve që lidhen me përcaktimin e shtrirjes territoriale të veçorive dalluese të shqipes dialektore me ato të drejtshkrimit të shqipes standarde. Për këtë mjafton p.sh. të lexohet se çfarë thuhet për ruajtjen (përkatësisht rënien ) e ë-së së patheksuar në dialektet e shqipes.
Po kështu termat a formulimet e përdorur zakonisht nuk janë të karakterit strukturor a funksional, mirëpo gjen herë pas here edhe terma a formulime të karakterit strukturor a funksional. Kështu për shembull në faqen 63 flet për “dallime josistemore” (?!) në një kohë që deri në atë moment nuk ka folur për dallime sistemore ose, duke folur për dallimet morfologjike ndërmjet gegërishtes e toskërishtes, përdor formulimin dallime pa vlerë kuptimdallueseose disa dallime nuk janë të karakterit strukturor etj.
Dallimeve leksikore midis dialekteve të shqipes u janë kushtuar 102 faqe. Sipas tij përhapja e fjalëve krahinore dhe dialektore që i dallon e diferencon dialektet e të folmet e shqipes është shumë e ndërlikuar dhe nuk mund të paraqitet me ndarje a kufij të prerë.Dhe në vend tipareve dalluese dialektore të shqipes në fushën e leksikut na jepen, siç thotë vetë, disa prej fjalëve dhe varianteve fonetike ose fjalëformuese të tyre, të nxjerra nga hartat leksikore të Atlasit, të cilat tregojnë larminë dhe pasurinë e madhe të të folmeve të gjuhës sonë, po edhedomosdoshmërinë që, mbi tërësinë e tyre, të çelej edhe hullia a kahu normativizues, që ngre në normë jo secilën prej tyre, por pikërisht atë që paraqitet më e përbashkët e më e mundshme për t’u përgjithësuar (?!).
Pra vazhdon të japë shtrirjen e dukurive dialektore leksikore, po pa na bërë të qartë atë që kërkohet në studimet dialektologjike, rolin dalluese të tyre në strukturën dialektore të shqipes.
Kapitulli kushtuar historisë së studimit të dialekteve të shqipes është, me pak shkurtime a modifikime, po ai i parashtruar në variantin e tekstit të botuar në vitin 2013 (ribotim i variantit të vitit 2000).
Një kapitull relativisht i gjerë u kushtohet Të folmeve shqipe të diasporës (57 faqe).
Sipas kopertinës dhe frontespicit, në pjesën e parë të librit do të trajtohen “Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore (nuk thotë të kujt?!) sipas hartave të ADGJSH-së”, kurse në pjesën e dytë“Të folmet shqipe të diasporës”, çka nënkupton që veçoritë dialektore të të folmeve të diasporës nuk do të përfshiheshin në pjesën e parë.
Mirëpo në pjesën e parë, kur trajton shtrirjen e dukurive dialektore të shqipes jepen të dhëna edhe për të folmet e diasporës (faqe 49-101).
Si rrjedhim të folmet e diasporës nga njëra anë përfshihen në analizën e tipareve të folmeve të mbarë shqipes dhe nga ana tjetër trajtohen jashtë tyre si njësi dialektore më vete. Pra edhe në këtë pikë një paqartësi në qëndrimin e autorit, një non-sens tjetër ky vështirë i kuptueshëm.
Pritej që, në një tekst që pretendon një paraqitje të re dhe më të argumentuar të shtrirjes së dukurive dialektore të shqipes të arrihej edhe në konkluzione ose të reja, ose të ndryshme, ose më të argumentuara lidhur me strukturën dialektore të shqipes dhe veçoritë e tyre dalluese. Po për fat të keq konstatojmë se ndarjes dialektore të shqipes u kushtohen vetëm 5 faqe.Dhe këto 5 faqe, edhe pse nuk thuhet shprehimisht, janë fjalë për fjalë ato që janë thënë nga J. Gjinari në dy variantet e fundit të tekstit të dialektologjisë të botuara së bashku me të në vitin 1997 dhe 2000 (ribotuar më 2003 dhe 2013), po me disa shkurtime edhe këto aspak të justifikuara.
Pra struktura dialektore e shqipes që do të duhej të ishte edhe pjesa e dytë dhe më e rëndësishme e këtij libri dhe rezultat logjik i analizës së dukurive dialektore të parashtruara prej tij, jo vetëm që nuk vjen si rezultat logjik i të dhënave të parashtruara prej tij për shtrirjen dialektore të dukurive, po është marrë pa asnjë shpjegim nga J. Gjinari ashtu si paraqitet ajo në dy variantet e fundit të tekstit të dialektologjisë.
Ajo që të befason është se në konkluzionet lidhur me ndarjen dialektore të shqipes dhe veçoritë dalluese të tyre (të huazuar nga J. Gjinari, pra jo rezultat logjik i analizës së dukurive dialektore të bëra prej tij) nuk ka asnjë fjalë lidhur me veçoritë dalluese leksikore të njësive dialektore të shqipes edhe pse paraqitjes së dukurive dialektore leksikore, siç kemi shkruar më sipër, ai u ka kushtuar 102 faqe.
Pra, nga njëra anë analiza disi të ndryshme nga tekstet e fundit lidhur me shtrirjen e dukurive dialektore të shqipes dhe nga ana tjetër konkluzione plotësisht të njëjta me këto tekste lidhur me strukturën dialektore të shqipes dhe veçoritë dalluese të tyre.
Edhe diçka tjetër lidhur me “kapitullin” kushtuar strukturës dialektore të shqipes. Në qoftë se gjatë analizës së dukurive dialektore nuk është përdorur kriteri strukturor a funksional, po as edhe një terminologji e tillë, në “kapitullin” kushtuar strukturës dialektore të shqipes ndër të tjera emërtime si këto: strukturë fonetike e gramatikorestrukturë dhe funksion të fonemavevariante t ndajshtesash, sistem gramatikordenduri e përdorimit të fonemave e të varianteve të strukturavesistemin fonetik, kundërvënia e zanoreve, seria e zanoreve, serinë e fonemave zanore etj.
Gjithsesi ky botim “i ri”, pas pesë varianteve të tekstit të J. Gjinarit dhe dy varianteve të tekstit të hartuar nga të dy së bashku, duke e gjykuar nga objekti, metoda dhe përmbajtja e tij mund të vlerësohet si një hap prapa në studimet tona dialektologjike.
E vërteta është se në të gjitha variantet e tekstit të dialektologjisë shqiptare të botuara përkatësisht më 1963, 1969, 1975, 1988, 1989, 1997, 2000 (ribotuar më 2003, 2013), përfshirë dhe këtë të fundit të botuar më 2012 nga Gj. Shkurtaj, ka një paqartësi totale në pozicionin teorik të autorëve, ndryshime pozicionesh teorike dhe qëndrimesh praktike nga njëri botim në tjetrin, “avancime” dhe kthime prapa që kanë bërë që të gjitha këto përpjekje të ngjajnë më shumë një eksperimentimi pesëdhjetëvjeçarë në vazhdimësi, po fatkeqësisht i pasuksesshëm.
Dhe pas më shumë se pesëdhjetë vite eksperimentimi të varianteve të të njëjtit tekstit nga i njëjti ose të njëjtit autorë, vazhdojmë të kemi në qarkullim, dy tekstet e tyre që në thelb në metodën e studimit dhe të parashtrimit të dukurive dialektore të shqipes kanë të njëjtat dobësi dhe probleme lidhur me trajtimin e dukurive dialektore të shqipes dhe strukturën e saj dialektore.
Në thelbin e vetë ky libër “i ri” i Gj. Shkurtajt për dialektet e gjuhës shqipe është parashtrim pa kriter të dhënash ose një magazinë pa inventar në fushën e dialektologjisë shqiptare.

0 comments:

Proudly Powered by Blogger.