Nikolla Naco, një jetë për shkollat shqipe, vdiq i varfër e i vobekët

by Shkupi Press  |  in Top Lajm at  11:30 AM

Nga Rebeka Martha Burda



Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes. Zot’ i math më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!...” 

Ishte data 24 prill 1913. Nikolla N. Naço ndodhej i shtruar në spitalin “Coltei” në Bukuresht. Këto fjalë ishin dëshmia e përpjekjeve të tij, përpjekjet e një jete, për përparimin e atdheut të tij dhe rrugën drejt lirisë. 
Xha Naço që s’rrinte dot pa vepruar, me vullkanin shqiptar që mbyllte në zemër mundi mefshtësinë dhe në shtypshkronjën “Kuku”, në shëtitoren më të madhe të Bukureshtit nxorri në dritë më 1888, me shkronja krejt latinisht gazetën e tij të famshme “Albanezul”, më e para gazetë shqipe e Kolonisë shqiptare të Rumanisë. 
Jeta e këtij njeriu me pasuri të mëdha, me vullnetin e hekurt, intuitën gjeniale, dashuri të patundshme për Shqipërinë, është një dramë e madhe njerëzore, është përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur, fisnike, për të fituar pavdekësinë. “Kam gëzim të bëhem Apostull, që ta shikoj të ngritur Flamurin e Indipedencës dhe të bashkuar gjithë vellëzërit e mi prej një gjaku, të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh dhe atëhere plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë, të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh lirinë e Atdheut dhe kësisoj bashkë me ta të vetë pranë Skënderbeut, t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shenjtë shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet…”. 

Ngriti shkolla nga hiçi,  asnjë shkollë s’mban emrin e tij 

Pas hapjes së Shkollës së Parë Shqipe të Korcës (7 Mars 1887) dhe të shkollës së vashave(1891), në vitin 1892 Nikolla Naço hapi dhe 6 shkolla të tjera shqipe në Kolonjë e Vakëfe. Hapja dhe puna e tyre ishin ngushtë të lidhura me veprimtarinë e mësuesit atdhetar Petro Nini Luarasi. Shkollat u formuan dhe materialisht u ndihmuan nga Nikolla Naço. Petro Nini Luarasi në një letër drejtuar Naços nga Sofia më 31 gusht 1894 i shkruan “... këtu shoqëria “Dëshira” në kanonizmën e vet e ka për të mbajtur mësonjëtoret në Shqipëri, por ndihmën që ua kërkova unë gjer më sot thonë se “ato shkolla janë të Naços dhe quhen të atij”. 
Shkollat u hapën në Rehovë, Gostivisht, Vodicë, Selenicë e Pishës, Treskë dhe Luaras me mësues Kristo Luarasi (i biri i priftit patriot Papa Stefani), Vasil Thanas Duro, Nuçi Naçi, Koço Ilia Postenani, Balil Tahiri. Në Rehovë mësuesi i dërguar nga Korça qëndroi tri javë. Veçmas u dallua shkolla e Treskës, ku shërbente mësuesi i talentuar dhe më i riu Nuçi Naçi. 
Si vizionar që ishte Nikolla N. Naço më 10 Maj 1892 shpalli të hapur Shkollën Normale në gjuhën shqipe e vllahe në kryeqytetin e Rumanisë. Kjo shkollë kishte dhe konvikt të saj “Për nxënësit që vinin nga Shqipëria e Maqedonia”. Rregullorja e shkollës u botua në formë të një librezë në gjuhën shqipe, rumune e frënge. Në nenin e parë dhe në dokumentat që pasojnë del se Naço ishte kryetar i shoqërisë “Drita”, drejtor i shkollës dhe i gazetës “Albanezul”. Naço këtë kanonizëm të parë të natyrës shkollore shqiptare ua dërgoi burrave të shtetit së pari në Rumani, Gjermani, Austro-Hungari, Itali, Francë si dhe shkencëtarëve e dijetarëve të tjerë me letra shoqëruese në formë memorandumi. Më 24 korrik 1892 në letrën që ia dërgoi D. Butculelscut, kryetar nderi i shoqërisë “Drita”, deputet i parlamentit rumun dhe mik i madh i tij dhe i popullit shqiptar midis të tjerave shkruan: “Shoqëria jonë e re “Drita” pati guxim të themelonte të parën shkollë me konvikt në Bukuresht e njëherit për drejtor të saj është zgjedhur Akademiku rumun B. P. Hazhdeu...”. Më 26 korrik 1892 Naço iu drejtua Kancelarit gjerman Bismark dhe Perandorit Vilhem II-të në emër të shoqërisë “Drita”, me ç’rast i njoftonte për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike në të cilën jetonte populli shqiptar. “Shkëlqesia juaj, patëm guximin t’ju njoftojmë për qëllimin dhe për administrimin e shkollës sonë me bindjen se Perandoria gjermane do t’ia tërheqë vërejtjen Turqisë për të drejtat tona të shenjta...”. 
Më 27 korrik 1892 Naço i bëri apel edhe Mbretit të Italisë po në këtë frymë. Më 16 gusht 1892 ia dërgoi një kopje të Rregullores me një letër përcjellëse gjuhëtarit të madh dhe albanologu të njohur cek Jan Urban Jarnik, profesor i Universitetit të Vienës dhe Pragës. Në lidhje me nevojën e themelimit dhe të funksionimit të kësaj shkolle ja ç’shkruan Nikolla Naço:”... pas një vështirësie të madhe në vitin 1892 arrita të hap me mjetet e mia të parin Institut shqiptaro-rumun, këtu në Bukuresht, një shkollë normale për të përgatitur apostuj (mësues) dhe propagandistë. I hapa dyert e shkollës duke pritur nxënës orthodhoksë, muhamedanë e katolikë, ku do të merrnin mësues dhe ushqim, që më vonë e nderuan atdheun, sepse e ngritën Flamurin e kulturës e të atdhetarisë në vend, duke vuajtur edhe në burgje e internime...” (N.Naço Vitorul Romanismuliui in Balcan f 66). 
Filip Shiroka shkruante për shkollën normale shqipe të Bukureshtit:”... që ka nisë me themelue për me u mësue djemve shqiptarë gjuhën shqipe dhe mësime të tjera të nevojshme për t’u hapur sytë dhe mendjen. Unë jam gëzue që tue pa që Z. jote ashtu dhe e ndershmja shoqëria “Drita” keni mendue me ndritun vendet tona, me ja dhanë Shqipnisë atë udhë që një ditë të përparojë sikur shtetet e tjera të Evropës”. (Bejrut, 14 shtator 1892). 
Më 3 shtator 1892 nga Berati i shkruan Naços Jorgji Dudë Karbunara për pengesat që hasnin për të dërguar nxënës në Bukuresht. Jani Vreto, edhe pse ishte kundërshtar i Naços, në një letër dërguar mikut të tij, Sotir Kolesë në Ohër i shkruan:”... më thanë para ca ditësh, që i erdhën edhe dy cuna nga Elbasani, një i krishterë e një muhamedan” (Bukuresht, 23 tetor 1894). Po ashtu Gjergj Qiriazi e njofton Naçon nga Manastiri, më 1 tetor 1899, se për në Bukuresht ishin nisur nga Konstandin Kristoforidhi dy nxënës, Aleks Buda dhe Dhimitër A. Pano. 
Ndërsa poeti Lasgush Poradeci në një artikull të vitit 1932 botuar në Kostancë me titull “Një fatos i veteranerisë shqiptare-fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti heroik i Kryeveteranit N. N. Naço- Korça” shkruan: “I madhi Naço qëndron kryelartë mu në thelbin e kësaj përpjekjeje trimërore. Ai, i cili atavizmën e thellë të gjakut, me temperamentin entuziast të natyrës së vet, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar me zjarr dhe hekur, ngriti me vete nga labirinti kombëtar Institutin Indipendent më të parë të Veteranerisë sonë tradicionale, shoqërinë e mësimit shqip në mërgim “Drita”, pikërisht Ai pat formuar objektin e atakeve më të rrepta nga ana e armiqve zemërthatë, nga ana e atyre që të vegjël, njëkohësiht nga shpirti dhe mendja, për shkak të ulësisë ideologjik dhe për shkak interesash materiale, ishin dënuar moralisht të mos mund të kuptojnë kurrë nacionalizmin e tij të inspiruar... Nuk ka personalitet më dinamik për gatimin e Njeriut shqiptar sesa Burri i madh i kombit, Dekani i flamurtarëve të Veteranerisë, krijonjësi dhe shpirtëzonjësi plot me famë i shoqërisë “Drita” Nikolla N. Naço- Korca”. 
Veprimtarinë e shoqërisë “Drita” e ndiqte me vëmendje të posacme ambasadori i Austro-Hungarisë në Bukuresht, Suzzara. Ai në raportin interesant nr.7115 drejtuar ministrit Golluhovski në Vienë, më 22 qershor 1893, i njoftonte të dhëna të rëndësishme për shoqërinë “Drita”, gazetën “Albanezul” dhe shkollën e parë normale shqipe të Bukureshtit. 

Një Kishë Orthodhokse shqiptare në Bukuresht 

Statuti i shoqërisë “Drita” kryesisht parashihte përhapjen e kulturës shqiptare, botimin e librave shkollorë dhe të gazetave shqipe. Çështje tjetër me rëndësi kombëtarë ishte futja e gjuhës shqipe në kishat orthodhokse. Lidhur me këtë Nikolla Naço kishte vepruar edhe më parë në Egjipt. Kërkesën për Kishën orthodhokse shqiptare, të redaktuar greqisht dhe shqip drejtuar Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Nikolla Naço deshi t’ia dorëzonte vetë në dorë Patrikut. Për këtë Naço iu drejtua Mareshallit Nusret Pasha, mikut të tij të ngushtë, që të ndërhynte tek ai për ta pritur. Kështu Naçon zyrtarisht e pranoi në audiencë vetë Patriku i Stambollit, Dhionis, si paraqitës të kërkesës zyrtare të formuluar nga ai. Patrikut, Naço i bëri përshtypje të madhe me burrërinë e tij, e vecanërisht njohja e greqishtes “në mënyrë të shkëlqyeshme, të kulluar, në trajtat më klasike të saj”. I tërëshenjtë, po ju sjellim nga një ngazëllim pë orthodhoksizmin, duke ju lajmëruar ngjalljen e Krishtit me popullin shqiptar dhe ngjalljen e popullit shqiptar me Krishtin. Krishti gëzohet se erdhi koha që të lavdërohet sipas Urdhërit të Tij ndër gjithë popujt edhe në gjuhën e popullit të Tij besnik shqiptar”. (N. Naço: Vitorul Romanismului f.50). Kisha shqiptare dhe kombëtarizimi i saj ishte njëra nga kurorat e përpjekjeve të rilindasve tanë që vepruan në mërgim. Së bashku me atë të Bostonit, të formuar nga shoqëria “Besa-Besë”, kjo e Bukureshtit u bë gur graniti i ngritjes së Kishës Autoqefale Orthodhokse shqiptare. F.S. Noli dhe Nikolla Naço mbetën sinonim i saj në historinë e Rilindjes Kombëtare. 


Hotel “Continental” në Bukuresht, ku u mbajt mbledhja historike e 5 nëntorit 1912.
Dhe ku për herë të fundit N.Naço paraqitet në jetën publike

Mbledhja historike e 5 nëntorit 1912 

Me dhembje të madhe Nikolla Naço i përcillte ngjarjet në Ballkan, sidomos kur filloi Lufta Ballkanike në gjysmën e dytë të tetorit 1912. Në vjeshtën e 1912, derisa Ismail Qemali ndodhej në Stamboll, ambasadori i Austro-Hungarisë në Turqi e nxiti atë të shkonte në Bukuresht e që andej në Shqipëri, me qëllim që të shpëtohej vendi. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe një numër patriotësh shqiptarë u mblodhën në hotel “Continental” në qendër të Bukureshtit. Zisi Stavre në “Mbledhja e Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë” shkruan: “... N.Naço më tha t’u jepja sihariqin gjithë anëtarëve të shoqërisë “Drita”, se qe afruar dita e ndarë për të shpallur lirinë e vendit. Të bisedojmë me të se ç’mund të bëjë për Shqipërinë shoqëria “Drita”, se sot është dita ta ngrejmë Flamurin Tonë lart e më lart dhe ta mbajmë fort e më fort”. Rezoluta e 5 nëntorit, e paraqitur nga Luigj Gurakuqi u pranua nga të gjithë plot entuaziazëm. Nga një kopje të saj morën Ismail Qemali, Pandeli Evangjeli dhe Nikolla Naço. Me Ismail Qemalin u nisën për në Shqipëri dhe delegatët e shqiptarëve të Rumanisë Pandeli Cali, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Emanueli, Dhimitër Zografi, Dhimitër Berati dhe Spiridon Tasi Ilo. 
Kjo mbledhje ishte dalja e fundit në publike e Nikolla Naços. Ditët e fundit të jetës së tij ishin të vështira, i sëmurë dhe i varfër. Më 28 nëntor 1938, plot 24 vite pas vdekjes së Nikolla Naços, duke vlersuar veprimtarinë patriotike të tij në Rilindjen Kombëtare Ilo M. Qafëzezi te “Gazeta e Korcës” shkruan: 
“Pas Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço-Korca është me të vërtetë një nga Kryetrimat e veteranëve të gjuhës shqipe e të Rilindjes shqiptare. Ka pasur armiq politikë dhe ka edhe sot, 24 vjet pas vdekjes, njerëz që përpiqen t’ia shëmtojnë Emrin e Shenjtë atij që të tëra pasuritë e fituara me punë të rëndë i prishte për propagandën shqiptare, për botimin e gazetave e të librave shqip dhe që vdiq i vobektë, i këputur..”.

Letërkëmbimet me Nolin, Konicën, Asdrenin e Mihal Gramenon

“…tinë që ke rendur dhe rendën dit edhe natë për kombin, edhe ke dhënë më të mëngjër edhe më të djathtë, sot të mos kesh sa të paguash qiranë 20 franga për shtëpinë. Ç’është edhe më keq nofta të flesh pa ngrënë..”



LETËR E F.S. NOLIT DREJTUAR NAÇOS

Boston, Mass.
28 Shën Endre 1911
I dashur mik!

Tani që kam më tepër kohë e quaj për detyrë t’ju përhiroj nxehtësisht për ndihmën dhe
përkrahjen që më dhatë sa kohë pata lumturinë të ndodhem pranë jush në Bukuresht. Ju siguroj që e quaj veten t’ime fatbardhë që u poqmë e lidhmë miqësi bashkë, se prej kohe dëshironja të njihnja për së afërmi ushtarin më të vjetër e më energjik të çështjes shqipe. Shërbimet që më bëtë me aq fisnikëri në Bukuresht doemos nuk i harroj kurrë dhe do t’i lutem Zotit t’jua shpërblejë duke ju falur shëndet, jetë të gjatë dhe mbarim të qëllimeve të larta për të cilat po luftoni pa u lodhur. Ju përshëndes vëllazërisht dhe ju çoj bekimin e Kishës shqiptare me urime prej zemre nga ana ime.

Mbetem juaji me
besë. F.S. Noli
F.O. Box 2445. Boston
Mass. U.S. America.


LETËR NGA FAIK KONICA

Paris më 24 të
janarit 1898

I dhemshur mëmëdhetar
Mora letrën që Zotëria jote ma dërgove, edhe s’munt dot të shkronj sa mu mbush zemra me gaz. Të thom edhe unë pesqint mij të mira për Motin e Ri, edhe ju dëshiroj shëndet tërvet shqiptarëvet që janë atje... do të shkruaj Zotnisë jote më sa ditë një tjetër letër, se kam të tjera të thom. Shërbëtori beg F.D. Konica-Tepeleni

P.s. Të më shkroni kështu sipër te karta

Monsienr le beg F.D. Konica
10 rue dux

ours, Paris


LETËR NGA ASDRENI

Kostancë, më 18
shkurt 1906

Xhaxha dhe i nderuari z. Naço
“... sa për hartat që disponon, nëqoftëse e gjen të udhës, mund t’i dërgosh. Broshura u shpërnda dhe nuk është e nevojshme që të dërgoni të tjera. Shqiptarët u gëzuan për çka shkruan dhe pranuan se ashtu është, duke patur te Z. jote besimin se flet të vërtetën... Z. Dr. Temo mu lut që t’jua çoja ngjatjetimet e tij.

Të përshëndes me
respekt
Nipi Asdreni

P.S. Dëgjova se ardhi Princi Gj. (Albert Gjika), nuk di a është e vërtetë. Ku është revolucioni?
Mbeti në hotel “Bulevard”! Kam dëgjuar se do të riorganizohet edhe shoqëria “Dituria”. Gjithë unë.



LETËR NGA MIHAL GRAMENO

N.N. Naço
Kryetar i Shoqërisë
Shqiptare “Drita”,
Bukuresht
Qirjak, 4 shkurt 1902

I nderçmi dhe i pavlyeri
Z.N.N. Naço!
“.... të thom Zoti Naço që lotët çurkë më vanë kur këndova letrën tënde, për sytë tem të thom që shumë u idhërova ngaje të shkrojtura tënde, se tinë që ke rendur dhe rendën dit edhe natë për kombin, edhe ke dhënë më të mëngjër edhe më të djathtë, sot të mos kesh sa të paguash qiranë 20 franga për shtëpinë. Ç’është edhe më keq nofta të flesh pa ngrënë, edhe me gjithë këto të përpiqesh ti fuç në udhë të shëntëruarë. Për Perëndinë që besoj, edhe për të ritë tem të falem, se vërtet që edhe Krishti ka vojtur, po jo kaqe, se Krishti ka patur ndihmë edhe shokë, po tinë nuku oqe dorë me gjithë që ka ardhur puna të rrosh si jo mi lumtur. Tinë e ke rëfyer punën kaqe sa mundet që mendje njeriu të mos dië si që ti tregonjë të ngjarat tënde...

I nënë urdhëri

Tënt nip Mihal Grameno



Milosao

0 comments:

Proudly Powered by Blogger.