Në kuadër të strategjisë për zhvillim të njërës prej qendrave më të mëdha turistike në Maqedoni, janë planifikuar aktivitete të cilët në masë të madhe do të përmirësojnë kushtet për të gjithë vizitorët dhe do të rikthejnë Kodrën e Diellit në një destinacion tërheqës turistik në Evropën Juglindore
Qendra turistike Kodra e Diellit do të ketë teleferik të ri me vlerë rreth 9.4 milionë euro. Për këtë shumë të parave teleferikun do ta projektojë dhe do të ndërtojë kompania italiane “Leitner”, vendosi kompania ELEM, e cila menaxhon me këtë qendër turistike. Gjatësia e trasesë së teleferikut të ardhshëm duhet të përfundojë në vitin 2015 dhe do të jetë 1420 metra, ndërsa kapaciteti maksimal do të jetë 3200 skiatorë për një orë.
Krahas kësaj ELEM planifikon që të ndërtojë edhe tri shtigje të reja për skiatorë në gjatësi prej 5000 metrave, ndërsa i tërë projekti do të kushtojë rreth 30 milionë euro. Nga Shoqata aksionare ELEM kanë bërë të ditur se këtë vit do të fillojnë investimet në Qendrën turistike Kodra e Diellit. Në kuadër të strategjisë për zhvillim të njërës prej qendrave më të mëdha turistike në Maqedoni, janë planifikuar aktivitete të cilët në masë të madhe do të përmirësojnë kushtet për të gjithë vizitorët dhe do të rikthejnë Kodrën e Diellit në një destinacion tërheqës turistik në Evropën Juglindore.
“Tashmë bëhet fjalë për fillim të realizimit të planit të hartuar master, për zhvillim të Kodrës së Diellit, kurse realizimi i investimeve të tërësishme parashikon investime rreth gjysmë miliardë euro në tre faza. Në fazën e parë ELEM planifikon të investojë rreth 30 milion euro. Parashihet që të ndërtohet një qendër moderne për skiatorë që do të sigurojë përvojë kualitative për skiatorët lokal dhe regjional. Do të ndërtohen shtigje të reja për skijim për të gjitha llojet e skijimit të cilët në fazën e tretë do të përfshijnë 76 kilometra shtigje të balancuara për skijim. Poashtu parashihet edhe modernizimi i kapaciteteve aktuale për vendosje dhe ndërtim të kapaciteteve të reja, rritja e numrit të vendeve për parkim, sistem për prodhim të borës artificiale dhe ndërtim të teleferikut të ri me ski lifte. Kapaciteti i tanishëm prej 1750 do të rritet në 12450 skiatorë që do të transportohen në orë dhe e tërë kjo në fazën e tretë. Në vijim janë përgatitjet e fazës së parë ku parashihen ndërtime të teleferikut më gjatësi prej 1420 metra. Poashtu në këtë fazë parashihet edhe ndërtimi i vendeve të parkimit për 350 automjete”, njoftuan për gazetën KOHA nga shërbimi për informim në ELEM.
Nga Kompania ELEM thonë se do të ndërtohet edhe një hotel i ri në vendin ku tani ndodhet hotel “Sllavia”. Për zgjatjen e sezonit për skijim parashikohet të ndërtohet një sistem për borë artificiale. Para sezonit 2014/15 në Kodrën e Diellit do të instalohet një sistem i ri për vulosjen dhe evidentimin e biletave. Me këtë sistem pritet që kjo qendër për skijim të funksionojë në mënyrë më të përshtatshme dhe më ekonomike. Qendra Turistike Kodra e Diellit aktualisht ka dy teleferikë dhe gjashtë ski-lifte. Gjatësia e ski-lifteve dhe teleferikëve arrin deri në 6513 metra me kapacitete prej 4138 skiatorë në orë. Gjatësia e shtigjeve arrin deri në 17233 metra, 1605 prej të cilave janë të lehta, 8786 metra të mesme dhe 6842 metra janë shtigje më të rënda. Shtigjet për skijim në Kodrën e Diellit kapin një sipërfaqe prej 57 hektarëve. Poshtu gjatë natës në Kodrën e Diellit janë të ndriçuara edhe dy shtigje për skijim nate.
Pamja e re e Kodrës së Diellit e cila pritet që në të ardhmen të tërheq mijëra turistë nga mbarë bota do të ketë edhe impakt direkt në ekonominë e Tetovës dhe rajonit, ndërsa pritet që të tërheq edhe investime nga jashtë me këtë të mundësohet edhe hapja e vendeve të reja të punës. Ndryshe, në Kodrën e Diellit një kohë të gjatë kanë munguar investimet kapitale. Skiliftet janë ndërtuar që në kohën ish-Jugosllavisë dhe ato vetëm riparohen, ndërsa teleferiku prej Tetovës deri në Kodrën e Diellit i cili funksionoi deri në vitin 2001, kur edhe u dëmtua që atëherë e këndej nuk funksionon. Poashtu krahas kësaj, edhe infrastruktura rrugore për në këtë qendër është e dobët. Rruga që çon nga Tetova deri në këtë qendër është mjaft e dëmtuar dhe me gropa të cilët ndonjëherë edhe nuk sanohen./KOHA
0 comments: