Qendrat tregtare, si kërpudhat pas shiut

by Shkupi Press  |  in Maqedoni at  9:44 AM


Nëse dikur në Maqedoni investohej në ndërtimin e kombinateve dhe fabrikave, sot më së shumti investohet në ndërtimin e qendrave tregtare dhe supermarketeve. Ky trend i ndërtimit në veçanti ka marrë hov këto pesë vitet e fundit edhe përkundër faktit se qytetarët nuk kanë para të blejnë

Zejnulla VESELI

Fuqia blerëse dita-ditës po bie te qytetarët, kurse gara për hapjen e qendrave tregtare dhe supermarketeve në Maqedoni sa vjen e shtohet. Për shembull, në Tetovë muaj më parë u përurua zgjerimi i qendrës tregtare “Pallma Mall” dhe së shpejti pritet përurimi i një tjetër qendre të re tregtare-“RIM”, në kuadër të të cilave gjithashtu funksionojnë supermarkete të mëdha. Analisti ekonomik dhe këshilltari pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Fatmir Bytyqi, thotë se derisa tregu i shitjes me pakicë i organizuar ne nivel supermarketesh ishte pothuajse i panjohur para viteve 2000, vitet e fundit kemi shtim të tyre duke ngritur pyetjen nëse do të këtë klientë të mjaftueshme në një vend si Maqedonia me popullsi prej rreth 2 milionë konsumatorë. Në fakt, thotë Bytyqi, ky trend i hapjes e supermarketeve dhe qendrave tregtare ka të bej me mentalitetin e “biznesit”, respektivisht për të arritur deri te fitimi i menjëhershëm. “Natyrisht se ky mentalitet në mënyrë adekuate reflektohet edhe në bërjen e biznesit, i cili në fakt në shumicën e rasteve është ‘copy paste”, apo kopjo dhe bëje. Kjo si pasojë sjell një trend tjetër të të bërit biznes, duke u varur kryesisht në tregti dhe shërbime se sa në inovacione, krijimin e prodhimeve te reja apo prodhimit në përgjithësi”, thekson Bytyqi. Edhe pse se qendrat tregtare dhe supermarketet i duhen një shoqërie dhe tregut në përgjithësi, pasi ofrojnë më shumë konkurrencë në ofertën dhe vetëdijesimin e konsumatorit, megjithatë ky lloj i të bërit biznes nuk është i qëndrueshëm dhe nuk sjell zhvillim të përgjithshëm ekonomik, vëren Bytiqi. “Kjo sjell vetëm pasurim të një shtrese të vogël, por jo edhe te të tjerët. Nëse objektivi i këtyre investuesve është kontribut në zhvillimin ekonomik, të bërit biznes të qëndrueshëm dhe afatgjatë në kapacitete prodhuese do të ishte gjëja dhe vendimi më i mirë për të gjithë”, thotë Bytyqi. Ai sugjeron që kapitali i fituar nga kjo veprimtari të kanalizohet në kapacitete prodhuese. “Unë shpresoj se për një kohë të shkurtër i gjithë kapitali i cili është grumbulluar nga biznesi me shërbime, shumë shpejt do të shndërrohet në kapacitet prodhues. Nëse kjo nuk bëhet, mendoj se shpejtë do shohim vetëm vende fantazmë ku do kesh frikë edhe të afrohesh dhe jo më të hysh për të blerë, sepse fuqia blerëse nuk vjen duke u shtuar”, thotë Bytyqi. Pronari i qendrës tregtare “Pallma Mall”, Neat Xheladini, megjithatë mendon ndryshe. Ai pranon se në Maqedoni fuqia blerëse dukshëm ka rënë viteve të fundit, por thekson se me vetë faktin se në Tetovë po ndërtohen qendra tregtare, ato frekuentohen nga konsumatorët. “Mbi 25 për qind e konsumatorëve nga rajoni i Pollogut janë frekuentues dhe të rregullt të këtyre qendrave. Ideja ishte që të ndërtoja një qendër në Tetovë dhe popullata e këtij rajoni të tregtojë në qendrën e tyre tregtare, e ndërtuar vetëm për ata”, thotë Xheladini./Koha 

Related Posts

0 comments:

Proudly Powered by Blogger.