|
Ismail Kadare |
“Një enigmë me disa të panjohura”, libri mbi diskutimin në
1968
Ç’ndodhi gjatë mbledhjes së Lidhjes së Shkrimtarëve, akuzat
për dekadentizëm në romanin “Dasma”
Sipas shkrimtarit, diskutimi i Xhaferrit, përpjekje për të
rregulluar biografinë.
“Përplasja me Arshi Pipën dhe pendesa për fjalët fyese”
Në vitin 1968 nuk ishte gjë e rrallë që të flitej për
dekadentizëm në letërsi, për shkelje të normave të realizmit socialist. Kishte
pasur jo pak shkrimtarë që kishin dalë në “fletërrufetë” e kolegëve të tyre të
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por kur bëhej fjalë për Ismail Kadarenë,
asnjë diskutim nuk mund të kalonte pa u vënë re e pa bërë bujë. I tillë ishte
edhe diskutimi i Bilal Xhaferrit për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Se
ç’ishte ky diskutim dhe arsyet që shtynë Xhaferrin drejt tij, gazetarja Aida
Tuci na i shpjegon në librin “Një enigmë me disa të panjohura – Rreth dosjes së
Bilal Xhaferrit”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”. Një libër, i cili pritet
të dalë në qarkullim, me dëshmi nga bashkëkohësit, dokumente arkivore, si edhe
një bisedë me shkrimtarin Ismail Kadare, të cilat zbardhin këtë ngjarje, të
ndodhur 46 vite të shkuara. Nga intervista e shkrimtarit, kemi përzgjedhur
vetëm një pjesë të saj, ku ai risjell variantin e tij të ngjarjes dhe qëndrimin
e tij ndaj saj dhe Bilal Xhaferrit gjithashtu. Ndër të tjera shkrimtari sqaron
edhe incidentin me Arshi Pipën, që sipas tij as sot nuk arrin ta kuptojë se
përse ndodhi.
Është një shkrimtar shqiptar, ndaj të cilit, sa herë që
kthehet vëmendja, paralelizmi i kujtesës shkon te ju, zoti Kadare. E kam fjalën
për Bilal Xhaferrin. Ka një kohë të gjatë që merrem me këtë çështje, le ta
quajmë “Dosja Bilal Xhaferri”, dhe nuk arrij të kuptoj se si, pas botimit të
kaq dokumenteve, çështja nuk po sqarohet. Sipas jush, a është vërtet kaq i
vështirë sqarimi i saj, apo ka diçka tjetër që pengon?
S’ka asgjë të paqartë në këtë çështje, që ju e quajtët
“Dosja Xhaferri”. Në qoftë se ka shumëçka të paqartë, madje të errët, atë duhet
ta kërkoni në ndërgjegjen e njerëzve që janë marrë me të. Dihet se kur
ndërgjegjet njerëzore janë të papastra, i tillë do të jetë edhe prodhimi që del
prej tyre. Ju keni bërë një anketë të hollësishme për këtë histori dhe besoj se
jeni bindur se në bazën e saj ka një gjë të keqe, një llum të pafund.
Ju vjen keq që emri juaj është përzier në këtë histori, ju
ka shqetësuar, vazhdon t’ju shqetësojë ose t’ju nervozojë?
S’do të isha i sinqertë po të thosha që s’më vjen keq, por
dua të theksoj se, më shumë se keqardhje, kam ndier neveri. Në fillim kam
kujtuar se është fryt i një keqkuptimi, nga ato që koha i sqaron vetvetiu. Më
pas, kur kam parë se jo vetëm s’ka sqarim, por e keqja sa vete merr krahë,
keqardhja ime për keqkuptimin, për vetë personazhin që e shkaktoi, u zbeh, për
t’ia lënë vendin një përçmimi të thellë.
Përpara shumë vitesh, pikërisht për këtë çështje, ju keni
bërë një qartësim në shtypin shqiptar. Në intervistën tuaj, gjithë atë ngjarje
ju e keni quajtur “Historia e një blofi “. Madje edhe intervista kështu është
titulluar. I përmbaheni ende sot një mendimi të tillë?
I përmbahem plotësisht. Jo vetëm kaq, por sot që ne po
bisedojmë, pra shumë vite më pas, kam bindjen se ajo që e kam quajtur “blof” ka
qenë më e keqe se një blof, më e rëndë dhe, pa dyshim, më e pistë. Mund të
thuhet se ajo është pjesë e një tabloje tepër të errët të Shqipërisë së sotme:
ndotjes morale të saj. Shqipëria është sot vendi i vetëm në Europë që nuk
pranon të shqyrtojë pjesën e errët të ndërgjegjes së vet. Pa këtë shqyrtim
s’mund të ketë zbulim të së vërtetës për asgjë. Dhe të vërtetat e mbuluara, sa
kohë që do të jenë të varrosura në qilarët e fshehtë, aq kohë do të helmojnë
gjithçka. E di që pas këtyre fjalëve acarimi i njohur kundër meje do të
përtërihet. Është e kuptueshme. Armata e spiunëve ka gjetur qetësi. Ata jo
vetëm nuk kërkohen e nuk zbulohen më, por janë kthyer në një mall tepër të
çmuar. Gjejnë punë të mira, fitojnë dekorata, tituj, dhe kryesorja, të strehuar
shpesh në internet, me nofka, si dikur, kanë ndjesinë e kthimit të kohës së tyre.
Ish-Sigurimi i Shtetit, monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi
shqiptar, i rrëzuar, siç është, ndien me siguri ngazëllim sa herë që njerëzit e
tij ia dalin të ngjiten në sipërfaqe. Të vihen në qendër të vëmendjes, të bëhen
të suksesshëm, të kafshojnë si dikur.
|
Bilal Xhaferri |
Në sqarimin tuaj ju keni folur për thelbin e asaj që ndodhi
në një mbledhje të shkrimtarëve në prill të vitit 1968. Sot, pas kaq kohësh, a
do të shtonit ndonjë gjë? Diçka që do të hidhte dritë, për shembull, mbi
ngjarjen. Që mund të shpjegonte sjelljen e njërit apo tjetrit.
Thelbi mbetet ai që kam thënë atëherë. Në qoftë se pas
anketës që ju keni bërë dhe diçka është sqaruar më fort, ky sqarim s’ka bërë
gjë tjetër veçse e ka rënduar edhe më tepër anën e shëmtuar të ngjarjes.
Meqenëse jemi te thelbi, do të përpiqem ta jap sa më shkurt: Në vitin 1968, në
Shqipërinë e egër komuniste, një shkrimtar me emrin B. Xhaferri kritikon një
tjetër shkrimtar, I. K. Janë pothuajse moshatarë, rreth 30 vjeç, me ndryshimin
se I. K. është tepër i njohur, kurse B. Xhaferri pak, për shkak të botimeve më
të pakta, e sidomos të biografi së tij. Salla e Klubit të Shkrimtarëve, ku
bëhet mbledhja, dëgjon e heshtur kritikën e Xhaferrit kundër I.K. Një shef i
lartë komunist, që ndodhet në sallë, ia pret fjalën, për t’i kujtuar se ai
është bir i një armiku të rendit. Pas kësaj, Xhaferri kalon ditë të vështira,
gjersa një ditë ia del të arratiset dhe përfundon në SHBA, ku jeton 18 vjet.
Menjëherë pas rënies së komunizmit, befas, fillon legjenda e tij. E gjitha
ngrihet mbi ngjarjen në Klubin e Shkrimtarëve më 1968, më saktë, mbi kritikën
kundër I. K. Ajo kritikë lavdërohet, glorifikohet, siç e thoni ju në anketën
tuaj, sikur të kishte qenë një çudi, një shpallje heroike për lirinë e të
shkruarit etj. Në të vërtetë, siç e mbajnë mend pjesëmarrësit në sallë, dhe siç
sqarohet dalëngadalë ajo kritikë, jo vetëm s’ka pasur asgjë për t’u çmuar, por,
nga çdo anë që të merrej, ishte e pabesë dhe e shëmtuar moralisht. Ishte
thjesht një akuzë kundër I.K.; nga ato që e çonin tjetrin në fatkeqësi, e
ndoshta në burg. Për t’i rënë shkurt, shkrimtari I. K. akuzohej prej Xhaferrit
se po sillte frymën e dekadentizmit në letërsinë e pastër shqipe!
|
Arshi Pipa |
Mendoj se lexuesit do të ishin tepër të interesuar të dinin
diçka më shumë për mosmarrëveshjet tuaja me Arshi Pipën. Me sa di unë, ato e
kanë pasur origjinën e tyre te një parathënie e tij për ju…
Është e saktë. Bëhet fjalë për botimin e romanit tim
“Kronikë në gur” në Londër, në kohën e komunizmit. Arshi Pipa jo vetëm e
përktheu romanin, por shkroi një parathënie tepër tronditëse për lexuesin
anglez. Së pari dua të them se ndërlikimi midis meje dhe Arshi Pipës,
pavarësisht surprizave jo të këndshme, është një ngjarje e nivelit të lartë, që
gjithashtu s’ka asgjë të përbashkët me ngatërresën e pistë, do të thosha,
gjysmëqesharake me Xhaferrin. Kjo e fundit, jo vetëm për nivelin e ulët dhe për
kotninë e saj, por për shkak të gjithë atyre që janë marrë e vazhdojnë të
merren me të, mund të quhet një “histori çapaçulësh”. Tjetër rang ka keqkuptimi
me Arshi Pipën. Ai është vërtet i hidhur, por kjo s’e pengon të jetë dramatik,
në kuptimin e plotë të fjalës, me domethënie të gjerë dhe, pse jo, me një
epilog të bukur, siç do ta shpjegoj. Gjatë shumë viteve, Arshi Pipa, në
shkrimet e tij, ka bërë vlerësimet më të larta për shkrimtarin shqiptar,
bashkëkombës të vet. Kemi pasur fate të ndryshme në jetë dhe në letërsi, por
kjo nuk ka penguar që të krijohej, siç krijohet në raste të tilla, një fije
lidhëse midis fateve që ngjajnë të kundërt. Ndaj tij do të përsëritja edhe një
herë atë që kam shkruar për Martin Camajn: “Ai kishte lirinë, por s’kishte
atdhe. Unë kisha atdhe, por s’kisha liri”. Arshi Pipën jo vetëm s’e ka bezdisur
kurrë njohja e kolegut I. K. nëpër botë, por ka bërë çmos që ai të kuptohet, të
çmohet e të shpërndahet sa më shumë kudo. Për këtë, ai shkroi vlerësimet më të
mëdha në shtypin botëror, sidomos atë anglo-sakson. E cilësoi kolegun e vet
shqiptar “shkrimtar heretik”, që, sipas tij, ishte shkalla më e lartë e
vlerësimit, madje më e lartë se ajo e shkrimtarit “disident”, ngaqë, gjithmonë
sipas tij, ndërsa disidenti e lufton me ndërgjegje totalitarizmin, heretiku e
lufton atë në mënyrë gati gjenetike, pra edhe atëherë kur kujton se nuk po
ndeshet me të. Që kolegu i vet të kishte sa më shumë sukses në botën e lirë
perëndimore, Arshi Pipa shpesh e ka zmadhuar guximin letrar të I. K. Kjo ka
ndodhur me parathënien e romanit “Kronikë në gur” në anglisht, parathënie që
duket sikur ishte në zanafillë të incidentit fatkeq. Atje, autori i “Kronikës”
del një denoncues i pamëshirshëm i terrorit komunist dhe sidomos i shefi të
komunistëve shqiptarë, E. Hoxhës, gjë që nuk i përgjigjej së vërtetës. (Tani do
të më pëlqente të ishte ashtu, por dihej se, edhe po të doja, kjo ishte e
pamundur.) Botuesi anglez e refuzoi parathënien, për të mos e rrezikuar autorin
që jetonte ende nën diktaturë. Kontrata u prish. “Kronikë në gur” u botua pa
emrin e përkthyesit. Një pjesë nga këto i dija. Një pjesë e merrja vesh nga
botuesi im francez, i cili, merrej me mend, kishte lidhje me anglezin. Ishin
lajme të këndshme dhe po aq të rrezikshme, por unë vetë s’mund të bëja asgjë,
veç t’i lutesha fatit që të mos shkonin në vesh të diktatorit.
Si mund të shpresohej një gjë e tillë? Keni thënë vetë se ai
merrte vesh çdo gjë, sidomos për ju…
Sado paradoksale që mund të duket, kishte gjëra që ai s’i
merrte dot vesh, pikërisht ngaqë ishin tepër delikate dhe që lidheshin me të.
Për shembull, pëshpërima për prirjet e tij seksuale. Dënoheshin me vdekje ata
që e përhapnin, por filluan të zhduken edhe ata që e dëgjonin, duke përfshirë
edhe vetë hetuesit, madje dhe shefat e tyre. Ishte një pëshpërimë që vriste në
të dy krahët, në mënyrë të verbër. Për
këtë shkak shmangej nga të gjithë. Ishte krijuar kështu një mekanizëm mbrojtës
i papritur. Për fatin tim të keq, pëshpërima fatale ishte lidhur rastësisht me
romanin tim “Kronikë në gur”. Në të vërtetë nuk kishte asgjë të tillë në këtë
roman, dhe unë vetë s’jam marrë kurrë me të. Mirëpo, për shkaqe që ende s’i di,
për të më bërë ndoshta më tërheqës në sytë e lexuesit perëndimor, pandehma
kishte filtruar aty-këtu. Gjatë udhëtimeve në Perëndim, ishte ajo që më së
shumti i druhesha. Më duhet të them se gazetarët perëndimorë më kanë respektuar
gjithmonë. Nuk mbaj mend asnjëherë provokime të tipit të ulët, nga ato që quhen
“goditje nën brez”. Megjithatë duhet kuptuar se, sipas standardeve tona
lindore, nuk mund të kishte gazetar perëndimor “të parrezikshëm”. Ishte vetë
stili i tyre i tillë, kanonet e tyre.
Për t’u kthyer te konflikti me Arshi Pipën. Siç e kuptova
unë, gjer në vitin 1990, kur komunizmi po lëkundej në Shqipëri, ju s’kishit
asnjë problem me të…
Është krejt e vërtetë. Jo vetëm nuk kisha asnjë problem me
të, por në kohën kur lindën shpresat për t’u takuar me shkrimtarët e shquar
shqiptarë të diasporës, njeriu i parë që ëndërroja të takoja ishte pikërisht
Arshi Pipa. Aq më tepër që ishin miq me Martin Camajn, të cilin e kisha takuar
në Frankfurt më 1981. Pavarësisht nga mosmarrëveshja e Arshi Pipës me botuesin
anglez, përkthimi anglisht i “Kronikës” ishte i tij, dhe parathënia dhe
shkrimet e tjera të tij mbeteshin si një akt nderimi e dashurie për kolegun e
vet brenda Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë, fillim i viteve ’90, ndodhi një
nga befasimet më të mëdha të jetës sime. Në dy-tri emisione të “Zërit të
Amerikës” në gjuhën shqipe, Arshi Pipa foli ndër të tjera edhe për shkrimtarin
I. K., duke theksuar se ai s’ka asnjë të drejtë morale të flasë për
demokratizimin e vendit, përderisa ka qenë një nga mbështetësit e diktaturës.
Shprehja “nuk u besoja veshëve” s’besoj se kishte qenë ndonjëherë më e
përshtatshme për të dhënë gjendjen time. Unë të mos kisha të drejtë të flisja
për demokracinë?! Unë që njëzet vite më parë, sipas tij, s’kisha lënë gjë pa
thënë kundër terrorit komunist, që, prapë sipas tij, paskësha bërë aludime për
shefin e Shqipërisë, si vrasës e homoseksual?! Që vetë botuesit anglez në
Londër i qenë dukur akuza të tepruara, që vetë botuesi francez në Paris kishte
vënë duart në kokë, duke më pyetur se si qe e mundur që këto hatara të qenë
shkruar në shqip, se në frëngjisht ai s’i kishte parë, dhe që unë i kisha thënë
se s’kishin qenë kurrë as në shqip, as në frëngjisht dhe në asnjë gjuhë tjetër.
Pas shfryrjeve të para kundër Pipës, zemërimi sa vinte më rritej dhe, bashkë me
të, një mendim i mbrapshtë, dyshues po më ngulitej në kokë: E gjitha kjo ishte
bërë me qëllim! Ndryshe s’ka si të shpjegohej. Me qëllim ishte shkruar
parathënia anglisht, për të më dëmtuar, për të shkaktuar dënimin tim. E shava
veten, e quajta naiv, budalla, që s’e kisha kuptuar qysh në fillim. Dëshira për
t’iu përgjigjur s’më ndahej. Në duar kisha bocat (fletë-korrigjimet) e “Ftesë
në studio” dhe gjeta një vend në tekst, ku mund t’i thyeja hundët, siç thuhej.
Mirëpo kjo ishte një fjalë goje! Ishte ende regjimi komunist. Kurrsesi s’mund
të shkruaje se X.Y. më denoncoi te regjimi, që ky të më dënonte. Në vend të
kësaj, shkrova ca të shara, shumica të padenja për tekstet letrare, për të mos
thënë, të çmendura. Midis tyre, fraza e vetme me njëfarë logjike ishte ajo ku
thuhej se parathënia e A.P. kundër meje “ishte një kallëzim në polici”.
A jeni penduar për këtë tekst? Nga fjalët tuaja kështu
nënkuptohet…
Sigurisht që jam penduar. Kisha të drejtë të zemërohesha,
madje ende sot mendoj se kisha të drejtë plotësisht, por kurrsesi nuk duhej ta
teproja. Sidomos nuk duhej të bija te dyshimi i mbrapshtë se gjithçka ishte
bërë me qëllim. Por kjo duhet kuptuar: në atë kohë ishte shumë e lehtë të të
kapte dyshimi, madje vetë marrëzia. Shenjën e parë të pendimit e kuptova kur po
kaloja në duar përkthimin frëngjisht të “Ftesë në studio”. Te paragrafi i A.
Pipës më mbetën sytë një copë herë. Unë i paskësha shkruar këta rreshta? I
fshiva gjysmat e tyre pa më të voglën mëdyshje, megjithatë edhe gjysma e mbetur
do të mjaftonte t’ia prishte gjakun personazhit. Ju disa herë keni dhënë të
kuptohet se s’keni dashur të flisni për incidentin e dikurshëm, ngaqë iu duket
në një “nivel të mjerueshëm”. Është fjala për të sqaruar një problem parimor,
që ka lidhje me letërsinë shqipe prandaj do t’ju lutesha për disa sqarime. Kam
takuar shumicën e dëshmitarëve të ngjarjes, një pjesë miq të B. Xhaferrit,
madje farefisni të tij. Të tjerë që kanë folur me të përpara mbledhjes, por
sidomos pas saj. Pothuajse asnjeri nuk ju bën ju fajtor për asgjë. Madje,
shumica theksojnë që ju ishit një prej atyre që e keni ndihmuar. Madje edhe në
mbledhje nuk thatë asnjë fjalë kundër tij, përkundrazi. Ju kujtoni se unë ndiej
ndonjë kënaqësi të dëgjoj pohime të tilla? Po jua them prerazi: më interesojnë
fare pak. E para se s’kam nevojë për këtë lloj zemërgjerësie. E dyta se s’kam
ndonjë dëshirë të dukem aq i virtytshëm si në telenovelat braziliane, e as
sentimental si në kafenetë e Tiranës, ku gjysmë-pijanecët, pasi janë grindur me
njëri-tjetrin, përfundojnë gjysmë të përqafuar. Në atë sallë ka ndodhur diçka
shumë më e rëndë nga ajo që është dukur ose është rrëfyer. Në qoftë se zonjat
dhe zotërinjtë dëshmues ju kanë thënë ose kujtojnë se ju kanë thënë të
vërtetën, atë e kanë bërë në radhë të parë për ndërgjegjen e tyre. Megjithatë
unë mendoj se e vërteta që ata kanë treguar nuk është e plotë. Më mirë se unë
këtë mund ta dini ju. Më keni bërë kaq shumë pyetje, më lejoni dhe mua t’ju bëj
një pyetje të vetme: pasi u kanë pohuar indulgjencën ndaj meje, cili ka qenë
përfundimi i bisedës së këtyre dëshmuesve? Është shumë e rëndësishme një gjë e
tillë, ndaj, ju lutem, mundohuni të ma thoni sa më saktë.
Do t’jua them fare saktë. Pavarësisht nga ato që kishin
ndodhur, admirimi i tyre për B. Xhaferrin mbetej i paprekur. Për mendimin e
tyre, ai ishte një talent i madh, i jashtëzakonshëm etj., por që iu pre rruga e
u dënua ngaqë guxoi të kritikonte I. Kadarenë.
Ju falemnderit. Siç mund ta shihni, ata nuk kanë kapur dot
as pamjen e plotë e as thelbin e asaj që ka ndodhur. Nuk është fjala aspak tek
admirimi që ata ruajnë për shkrimtarin. Kjo është e njohur dhe kjo është e
drejta e tyre. Është fjala për tjetër gjë. Në sallën e Klubit të Shkrimtarëve
në prill të vitit 1968 ka ndodhur një akt i rëndë, nga ata që kërkojnë gjykim
të saktë. Është lehtë të thuash: u përleshën dy kolosë (reminishenca e dy
luanëve, apo dy fustaneve etj.) e të vazhdosh se asnjëri s’e mposhti dot
tjetrin, e të ngazëllehesh nga kjo, e fill pas saj t’i bësh lavde harmonisë që
duhet të mbretërojë midis gjenive, për të mirën e kombit autokton etj., etj. Në
atë sallë nuk ndodhi asgjë e tillë. As përplasje idesh, e aq më pak kolosësh. E
vërteta ka qenë fare ndryshe dhe e vërteta në kësi rastesh nuk duron dot as më
të voglin cen. E vërteta është se në atë sallë nuk ndodhi gjë tjetër veçse një
goditje politike. Dhe në raste goditjesh të tilla nuk ka vend për naivitet e as
barazim faji. Ka dy kolegë përballë (ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet,
Xhaferri ka qenë më i madh në moshë), njëri prej të cilëve kërkon të rrëzojë
tjetrin politikisht. Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në
atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt,
njëri nga kolegët e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të
realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi
i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do
të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist
nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm. Dalja kokulur nga
salla gjithashtu, e më pas mënjanimi, kapërcimi i kufirit, përfundimi në SHBA,
ku jetoi i lirë rreth 18 vjet, pa dëshmuar pothuajse asgjë serioze për ferrin
nga shpëtoi, e kanë rrënjën tek ai akt fillestar. Nuk dua të merrem me to, aq
më pak me pikëpyetjet që shtrohen aty-këtu në anketën tuaj, si e ndiqte, për
shembull, Sigurimi, mu në mes të SHBA-së etj., etj., ngaqë të tilla, ashtu si
gjithë kjo histori, më ngjan, siç e thashë, krejtësisht e padenjë për
kalendarin letrar.
Ju vetë keni folur shpesh për absurditetet dhe marrëzitë e
kohës, prandaj do t’ju lutesha, në këtë rast, që, për ndriçimin e disa pikave
të kësaj ankete, të jepni dëshminë tuaj. Do të shtoja në emër të lexuesit të
brezit tim, që është njohur me këtë histori, por në mënyrë të pasaktë. Ju keni
qenë në “atë sallë”, siç e quajtët, ku nisi gjithçka…
Është e vërtetë. Kam parë gjithçka dhe kam dëgjuar gjithçka.
E di që do të pyesni se si e prita akuzën e tij. Po ju përgjigjem shkurt: me
përçmim. S’ishte vetëm çështje mosmirënjohjeje, bënte pjesë në palcën e së
keqes së një tiranie. Siç e thashë më lart, ju patët kujdesin që disa herë të
theksoni “dashamirësinë” e dëshmuesve ndaj meje. Madje ndonjë prej tyre, duke
dashur të më bëjë akoma më të mirë, shtoi se unë gati-gati kam qenë mirëkuptues
ndaj tij etj. Për t’ju çliruar të gjithëve nga ky kujdes, po ju them se kjo
s’ishte fare e vërtetë. Qysh në çastin që ai foli për “dekadentizmin” tim, për
asnjë grimcë kohe nuk kam pasur as më të voglin mendim pozitiv për të. E kam
dëgjuar krejtësisht i befasuar, kam thënë me vete ç’mosmirënjohtës! Mund të
gjente një tjetër mënyrë për të ndrequr biografinë etj. Pastaj s’kam folur
asnjë fjalë, qoftë në mbledhje, qoftë pas saj. Me kalimin e viteve, kjo histori
u harrua. Në rrethe fare të ngushta mbahej mend ky shkrimtar, dikur i
talentuar, por që s’i eci në asgjë. Shfaqej aty-këtu habia se, duke ikur nga
robëria më e thellë në më të lirin vend të botës, nuk u ndie e nuk u botua
asgjë e tij askund. Perëndimi e sidomos SHBA, që ishin tepër të ndjeshëm për
shkrimtarët e arratisur, në këtë rast u treguan krejtësisht të shurdhër.
Diaspora shqiptare gjithashtu, sidomos pas një paralajmërimi të keq kundër tij
nga kryetari i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Një interes për të nisi të
ringjallet pas vdekjes së tij të vetmuar. Kishte rënë komunizmi dhe kureshtja
ishte në krye në trajtë keqardhjeje, forma më e shpeshtë te shqiptarët që
kujtohen për tjetrin kur e shohin në fatkeqësi. Interesi përkoi me fillimin e
fushatës kundër intelektualëve më 1990. Qarkullonin disa shkrime të tij për
Çamërinë, por sidomos një vjershë kundër shkrimtarit I. Kadare dhe një shënim i
tij për incidentin e harruar tashmë te Klubi i Shkrimtarëve.
Sipas jush, a ishin këto zbulime që luajtën rol për ta
ngritur atë në statusin e një disidenti? Juve vetë, çfarë përshtypjeje ju bënë
ato?
Ndonëse një gjë e tillë nuk thuhet, mendoj se “zbulimet”, në
radhë të parë vjersha dhe shënimi nën të, kinse të shkruara natën “pas
përplasjes”, kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e përrallës me kolosë.
Vjersha ishte thjesht një pamflet vulgar, ku përmblidheshin shpifje dhe akuza
të njohura: ndihmës i diktatorit, i përkëdheluri i regjimit e i fatit, bredhës
pas fustanesh vajzash ruse e kështu me radhë. Kurse shënimi “Të kritikoje I. K.
ishte njëlloj si të kritikoje Enver Hoxhën”, ishte edhe më i mjerë. Besoj se e
kuptoni që pas kësaj, përçmimi im për të do të ishte shumë më i madh. Por që të
jem i sinqertë, nuk e kam besuar dhe ende dua të mos e besoj se ka shkuar aq
larg. Një bindje e brendshme më thoshte se vjershën bashkë me shënimin i ka
shkruar një tjetër dorë. Kjo është e vërtetueshme, besoj, dhe po të vërtetohet
do të tregojë shumë gjëra. Ajo lidhet me thelbin e problemit: rigjallërimi i
çështjes Xhaferri, shkaqet e vërteta, kush qëndron pas saj, kush ka qenë në
zanafillë dhe kush e ka trashëguar atë. Dosja “Xhaferri” ka qenë pjesë e
puzzle-s, asaj që dëshmon vazhdimin e frymës staliniste në Shqipëri. Në qoftë
se ju do ta çoni deri në fund anketën tuaj, jam i sigurt se do të ndesheni me
befasime të tjera.
AIDA TUCI